Vdekja e dy punëtorëve në Gjakovë – Prokuroria kërkon paraburgim për punëdhënësin dhe punëkryesin

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave me inicialet Xh.P. dhe A.M., pas vdekjes tragjike të dy punëtorëve gjatë një incidenti në vendin e punës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e personave përgjegjës për sigurinë në vendin e punës, nuk kanë zbatuar masat ligjore për mbrojtjen e punëtorëve, çka ka çuar në rënien fatale të dy viktimave nga kati i tretë i një objekti në ndërtim.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se, më 21 korrik 2025, në një punishte të përkohshme në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, "viktimat derisa ishin duke punuar në ndërtimin e objektit banesor... për një moment dërrasa shkelëse thyhet dhe të njëjtit bien nga kati i tretë, në lartësinë prej nëntë (9) metra".
Tutje thuhet se punëtorët H.J., dhe D.B nuk kishin jelek dhe helmeta mbrojtëse, e as nuk kishte të vendosur litarin për siguri.
“Vendi nuk kishte skele të vendosura e as parmak mbrojtës që nuk do të lejonte që punëtorët të bien në tokë", thuhet nw njoftim.
Për pasojë, dy punëtorët humbën jetën si rezultat i lëndimeve të marra, të konfirmuara nga raporti mjekësor i Spitalit Rajonal në Gjakovë.
Të dy të pandehurit, Xh.P. (në cilësinë e punëdhënësit–investitorit NTSH “Sh...”) dhe A.M. (në cilësinë e punëkryesit “M.G”Sh.P.K), dyshohen për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 358 par.7 lidhur me par.3 dhe par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria thekson se këto veprime janë rezultat i mosveprimit në pajtim me rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës, duke e konsideruar nevojën për paraburgim si të domosdoshme në këtë fazë të hetimeve. /Telegrafi/











































