KB “Vëllaznimi” vazhdon bashkëpunimin me trajnerin Jeronimo Sarin
Pas një sezoni të sukseshëm në krye të klubit të basketbollit “Vëllaznimi”, ku arriti që te fitojë trofeun e parë pas 29 viteve me skuadrën nga Gjakova, edhe zyrarisht është bërë e ditur që trajneri kroat Jeronimo Sarin, do ta drejtojë ekipin nga Gjakova edhe gjatë sezonit të ardhshëm.
Përveç arritjes së jashtëzakonshme në kuadër të Ligës Unike, ajo që e ka shtyer skuadrën nga Gjakova, që të vazhdojë bashkëpunimin me trajnerin Sarin, thuhet të kenë qenë rezultatet e mira në kuadër të sezonit të rregullt, arritja deri në çerekfinale të Play Off-it, si dhe fryma profesionale e disiplina që ka mbizotëruar gjatë këtij sezoni në organizimin klubit të basketbollit “Vëllaznimi”.
Kujtojmë që “Vëllaznimi” sezonin 2024/2025 në kuadër të Superligës së Basketbollit të Kosovës, e kishtë nisur nën drejtimin e trajnerit kroat Branimir Paviç, por pas rezultateve jo të mira që skuadra kishte arritur nën drejtimin e tij, klubi kishte ndërprerë bashkëpunimin me të, duke nënshkruar me trajnerin Jeronimo Sarin, ku nën drejtimin e tij gjakovarët arritën të regjistronin një bilanc prej 11 fitoreve e 11 humbjeve, duke e mbyllur kështu sezonin e rregullt në pozitën e gjashtë të radhitjes tabelare në Superligën e basketbollit kosovar. /Telegrafi/






























