I themeluar në mars të vitit 2023, klubi i basketbollit Grapeland Basketball pas suksesit të arritur në Ligën e Dytë të basketbollit të Kosovës, ku arriti të fitojë Kupën e kësaj Lige sezonin që lamë pas, tashmë ka arritur që pas këtij suksesi, përmes fazës së Play-Out të inkuadrohet në Ligën e Parë të basketbollit kosovar.
Në një intervistë për Telegrafin, Indrit Krasniq, kryetar i klubit të basketbollit “Grapeland Basketball” përmendi qëllimin për të cilin u themelua klubi fillimisht.
“KB ‘Grapeland Basketball’ u themelua me qëllimin që të rinjtë dhe entuziastët e basketbollit të mund të zhvillojnë talentin e tyre dhe të konkurrojnë në nivele të larta. Klubi filloi nga një grup i vogël dashamirësish të sportit dhe që nga themelimi, kemi arritur të ndërtojmë një strukturë të fortë, duke tërhequr lojtarë të talentuar dhe mbështetje të madhe nga komuniteti.”, tha fillimisht Krasniqi.
Duke pasur parasysh që jemi afër fillimit të garave të rregullta në Ligën e Parë të basketbollit të Kosovës, Krasniqi tha që përgatitjet për sezonin e ri janë duke shkuar sipas planifikimeve të stafit Teknik.
“Përgatitjet për sezonin 2024/2025 kanë filluar me intensitet të lartë. Stafi ynë teknik ka planifikuar një program të plotë stërvitor për të siguruar që lojtarët tanë të jenë në formën më të mirë fizike dhe taktike. Përgatitjet po shkojnë shumë mirë.”, shtoi Krasniqi.
Kualiteti i basketbollistëve është ai që e bën diferencën mes ekipeve, ku sipas Krasniqit, klubi i tyre ka arritur të përfshijë disa lojtar të talentuar në skuadër.
“Jemi të kënaqur me përgatitjet që kemi bërë deri tani në lidhje me fondin e lojtarëve. Kemi arritur të përfshijmë disa talent premtues Procesi i përshtatjes mes lojtarëve po shkon shumë mirë, me një atmosferë pozitive dhe bashkëpunuese që ka krijuar një ndjenjë të fortë ne ekip.”.
Krasniqi tha që përvoja e disa ekipeve që janë pjesë e Ligës së Parë mund të jetë një ndër sfidat më të mëdha për KB “Grapeland Basketball”.
“Liga e Parë është shumë konkurruese, dhe ka disa ekipe që janë shumë të forta. Ne i respektojmë të gjithë kundërshtarët tanë, por ndoshta një nga sfidat më të mëdha do të jetë përballja me ekipet që kanë përvojë të gjatë dhe stabilitet në lojë. Megjithatë, ne jemi të përqendruar në qellimin e klubit nga dita e parë.”, shtoi tutje Krasniqi.
Ndërsa synimi kyç i tyre këtë sezon është që sezonin e ardhshëm të jenë pjesë e Superligës së basketbollit të Kosovës.
“Ekipi ‘Grapeland Basketball’ synon të inkuadrohet në Superligën e Kosovës në basketboll. Ne besojmë se me mbështetje të fortë nga bizneset dhe qyteti, do të arrijmë të realizojmë këtë objektiv dhe të kontribuojmë në zhvillimin e sportit në rajon.”. përfundoi Krasniqi. /Telegrafi/