Liverpooli pritet të bëjë shumë ndryshime në sezonit 2023/24 dhe tashmë është vendosur se katër yje do të largohen pas përfundimit të sezonit, si lojtarë të lirë, me skadimin e kontratave të tyre.
Reds janë duke luftuar për ta shpëtuar sezonin, pasi kur kanë mbetur edhe katër ndeshje në Ligën Premier, ekipi i Jurgen Klopp ende ka gjasa të zë një vend që i dërgon në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, sezoni aktual llogaritet deri diku si dështim pasi Liverpooli ka qenë gjithmonë duke luftuar për trofe deri në ndeshjet e fundit, ndërsa këtë sezon është eliminuar shumë herët nga çdo garë.
Kështu, drejtuesit e klubit nga Anfield dhe trajneri gjerman, Klopp, synojnë të bëjnë ndryshime në skuadër, ndërsa e gjitha pritet të fillojë nga largimet.
Katër lojtarë janë në listën e largimeve të sigurta pas skadimit të kontratave dhe dy nga ta janë yje që e kanë mbajtur barrën e skuadrës për shumë vite, duke qenë vendimtar edhe në fitimin e trofeve.
Sipas gazetarit italian, Fabrizio Romano, James Milner do të bashkohet me Brighton dhe së shpejti do të jetë koha e vendimeve për klubet e reja edhe për Alex Oxlade-Chamberlain, Roberto Firmino dhe Naby Keita.
Të gjithë do të largohen nga Liverpool si lojtarë të lirë siç pritej, ndërsa asgjë nuk ka avancuar apo konkrete mes Firminos dhe Barçës. /Telegrafi/