LAJMI I FUNDIT:

KARVANI

KARVANI

Poezi nga: Théophile Gautier
Përktheu: Maksim Rakipaj

Në Saharanë e botës karvani njerëzor,
Në rrugën e viteve që s’ka kthim prapa,
Këmbëzvarrë shkojmë përvëluar nga vapa,
Për të pirë kemi djersën që na kullon.

Luani hungërrin dhe stuhia gjëmon;
Gjëkund s’duket kullë, asnjë pemë për bé;
Hije na bën një skifter që endet mbi ne,
Fluturon mbi ne dhe prenë e tij kërkon.


Ecim gjithnjë përpara dhe ja, befasisht
Seç duket një blerim që tregojmë me gisht:
Disa selvi me gurë të bardhë qarkuar.

Në shkretëtirën e kohës, për të na çlodhur,
Si oazet, Zoti varrezat ka caktuar:
Shtrihuni, pushoni, udhëtarë të lodhur.