Kanë nisur përpjekjet për nxjerrjen e trupit nga rrënojat e aeroplanit që e bartte Emiliano Salan
Hetuesit e aksidenteve ajrore (AAIB) kanë bërë të ditur se kanë nisur përpjekjet për nxjerrjen e trupit që ndodhet nën rrënojat e aeroplanit, ku gjendej Emiliano Sala.
Ekipet shpëtimtare po përpiqen ta nxjerrin trupin, mirëpo për shkak të kushteve të forta të baticave, progresi është shumë i ngadalshëm.
Nga AAIB kanë thënë se nëse trupi nxirret me sukses, atëherë do të merret në konsideratë edhe nxjerrja e rrënojave të aeroplanit nga deti - transmeton The Evening Standard.
Nuk do të ketë njoftime të tjera derisa të kryhet i gjithë operacioni dhe të njoftohen familjet e futbollistit dhe pilotit David Ibbotson.
"Po përpiqemi ta nxjerrim trupin. Nëse jemi të suksesshëm, atëherë do të përpiqemi t'i nxjerrim edhe rrënojat e aeroplanit".
"Kushtet e forta të baticave na bëjnë të mundur përdorimin vetëm të automjetit me telekomandë (ROV) për periudha të kufizuara çdo ditë dhe kjo do të thotë se progresi është i ngadalshëm".
"Pavarësisht rezultateve, nuk do të lëshojmë deklarata tjera derisa të informohen familjet", ka thënë një zëdhënës i AAIB.
Transferi i ri i Cardiff Cityt është zhdukur që nga 21 janari, pasi aeroplani që drejtohej nga piloti David Ibbotson ishte zhdukur mbi English Channel (La Manche).
Rrënojat e aeroplanit u fotografuan për herë të parë pasditen e të dielës, kur dy ekipe kërkimore e kishin lokalizuar aeroplanin e tipit Piper Malibu.
Eksploruesi detar, David Mearns, i cili po i udhëheq kërkimet, ka thënë të hënën se rrënojat duhet të ngriten sa më shpejtë në mënyrë që familjet të marrin përgjigje. /Telegrafi/






























