Site icon Telegrafi

Ka ndërruar jetë papritur Tatjana Patitz, njëra nga modelet më të bukura të të gjitha kohërave

(Foto: Getty)

Në moshën 56 vjeçare është ndarë nga jeta Tatjana Patitz, bukuroshja legjendare në epokën e viteve të nëntëdhjeta, e cila përbënte pesëshen e famshme me Naomi Campbell, Cindy Crawford, Linda Evangelista dhe Christy Turlington.

Lajmin për vdekjen e supermodeles e ka konfirmuar agjenti i saj, por ende nuk ka të dhëna për shkakun.

Gjatë karrierës së saj, Tatjana ishte shpallur si njëra nga femrat më të bukura në botë, si dhe u nderua me titullin e modeles më misterioze.

Patitz lindi në Hamburg të Gjermanisë (nga një nënë estoneze dhe një baba gjerman) dhe si fëmijë u zhvendos me familjen e saj në qytetin suedez, Skanor.

Në vitin 1983, në moshën 17 vjeçare, ajo hyri në Elite Model Contest në Stokholm dhe fitoi vendin e tretë, ndërsa çmimi ishte një udhëtim në Paris dhe një kontratë me një agjenci mode.

Në fund të viteve të tetëdhjeta dhe gjatë viteve të nëntëdhjeta, ajo ‘i vuri flakën’ botës së modës dhe shumë shpejt u bë një nga yjet kryesore të videoklipit të George Michael, “Freedom”.

Tatjana shpejt u bë modele për Versace dhe Chanel, duke u shfaqur shpesh në reklama të shtypura dhe në pista, si edhe ishte në kopertinat e shumë revistave të popullarizuara, si Vogue, Harper’s Bazaar e Marie Claire.

Vitet e fundit, ajo jetonte në një fermë në Malibu me djalin 19 vjeçar Jonah (të cilin e kishte nga lidhja me ekspertin e marketingut Jason Johnson, me të cilin ishte e martuar nga viti 2003 deri në vitin 2009). /Telegrafi/

Exit mobile version