“Atënia asht gjith ajy vent ku flasin
gjindja dhe kanë një pal huje … Kjo asht atëni
e të gjithve atynej rronjësvae në kët vent, në të cilin flasin
një gjuhë dhe kan një gjak…në ata, vallet e dasmat” – Josif Bageri
Nga: Hamit Boriçi
I.
Kronikë jetëshkrimore
Josif Bageri, një nga veprimtarët e shquar të Rilindjes Kombëtare, poet me talent të rrallë, gazetar dhe publicist, që tërë jetën ia kushtoi çështjes shqiptare, u lind në vitin 1870 në Nistrovë, fshat në Rekën e Epërme të Dibrës së Madhe dikur, sot Komunë në rrethin e Gostivarit.
Fëmijërinë dhe miturinë i kaloi në vendlindje, në pamundësi të merrte mësime shkollore. Bariu i mitur e çonte kohën me dhen, por u rrit me dashuri për Nistrovën dhe shtëpinë aty midis pyllit në anë të një përroi, që ishin ABC-ja e mendësisë “Atdhe”, siç do t’i këndonte në poezinë: “Dibër, o qyteti im”.
Iu deshën vitet për të përmbushur ëndrrën dhe shpresën që të mësonte gjuhën amtare, të këndonte abetare e libra shqip.
Analfabet ishte Josifi shtatëmbëdhjetëvjeçar, kur, pas përpjekjeve në kërkim të ndonjë pune në Dibër, në Tetovë e Gostivar, u detyrua të marrë udhën e mërgimit – 18 ditë e net më këmbë deri në Sofje.
I mërguari i ri shpejt gjeti përkrahjen e bashkatdhetarëve të njohur e të panjohur. Gjeti punë në një këpucëtari dhe në kohën e lirë merrej me veprimtari kombëtare. E gjeje Josifin në kafenenë “Albania” të Adham Shkabës, klub për punëtorët emigrantë shqiptarë. E më pas te dyqani i boboshtisasit të dëgjuar si i flakti shqiptar, Dhimitër Moles, mësuesi i parë i gjuhës shqipe edhe për Josifin.
Me duar tërë kallo prej çekiçit të këpucarit, me gishtërinj të prerë e plagë nga brisku e spangoja shtrëngonte gazetën “Shqiptari”, që ia jepte “mësuesi” Dhimitër. Gazetën e lëçiste natën vonë nën dritën e kandilit, lexonte e kopjonte shkronjat e fjalët. Kështu arriti t’i bashkojë shkronjat në rrokje dhe fjali, duke thurur vargje që filluan të mirëpritën e botohen në gazeta.
Në Sofje një koloni mjaft e madhe shqiptare kishte një jetë të organizuar politike dhe kulturore. Josifi ishte shumë aktiv kushtuar çështjes shqiptare me kurajo e vendosmëri.
Gjatë veprimtarisë atdhetare njihet me dijetarë punëtorë të Rilindjes Kombëtare, Said Najdenin, Dervish Himën, Jashar Erebaren, Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin e të tjerë. Prej tyre mësoi e përftoi ide të mëdha të lëvizjes për çlirim dhe emancipim kombëtar.
Josifi ishte një nga ideatorët e krijimit të shoqërisë shqiptare “Dëshira”, promovuar në Sofje më 1 janar 1893. Si veprimtar i kësaj shoqërie pat fatin e madh që më 12 shtator 1898 të pritej në Stamboll nga Naim Frashëri, takim që do ta kujtonte: “Patëm fatin e mirë të ndesheshim me shpirtndritunin e paharruer kurri, Naim Frashërin, i cili at’kohë ishte shum i smum, po na priti si fëmin e vet dhe u muerëm vesh fort shum mire, tuj folë vetëm për çështje kombëtare” (Gazeta “Shqypeja e Shqypënis”. Nr.16, dt. 23 janar 1910)
Dhe, i frymëzuar edhe nga këshillat e atij korifeu, Josifi fillon letërkëmbimin me shqiptarët brenda atdheut, në Dibër, Gjakovë, Korçë, Elbasan e Vlorë. I njoftonte bashkëkombësit për zhvillimet atdhetare në Sofje. Përmes letërkëmbimeve del se Bageri ishte i lidhur mirë me lëvizjen kombëtare (Gazeta”Drita”, Sofje, nr. 6, dt. 18-31 janar 1902).
Dy ngjarje shënon për vitin 1907, takimin e bashkëbisedimin me Hil Mosin për çështjen shqiptare (Gazeta “Shpnesa e Shqypënisë”, 1 mars 1907) si dhe krijimin e Shoqërisë “Afron dita” në Sofje më 1 maj 1907. Për këtë event gazeta e Nikolla Ivanajt, në Dubrovnik do të shkruante: “’Afron dita’, shoqëri e themeluar rishtas me të përpjekunit t’nershmit e t’flaktit atdhedashun … Z. Josif Bageri … Qellimi i kësaj shoqnie bamirësije në të gjitha punët kombëtare që lypen n’nimet t’shoqit nervedi e sidomos n’nimë për të shtypun fletore t’vjefshme kombiare” (Gazeta “Shpnesa e Shqypenisë”, 22 maj 1907).
Idetë iluzive e mashtruese të ashtuquajturit Revolucioni Xhonturk të 23 korrikut 1908, fillimisht, ashtu si edhe shumë atdhetarë të tjerë, vunë në lëvizje edhe Josif Bagerin. Entuziast nga krijimi i klubeve në qytetet e trevat kombëtare, i hapjeve të shkollave shqipe, i botimit të disa gazetave e revistave shqiptare, ai vendosi dhe udhëtoi nga Sofja drejt Rekës së Epërme si misionar i arsimit e kulturës atdhetare. Gjatë verës dhe vjeshtës 1908 kaloi në disa krahina e qytete si Shkupi e Dibra. Në shtator 1908 arriti në fshatin e lindjes, Nistrovë, ku puna e parë ishte çështja shqiptare dhe bashkimi kombëtar. Me këto ide niset për Dibër, shoqëruar nga vëllai e tre bashkëfshatarë. Kërkesa e parë e qytetarëve ishte çelja e shkollës shqipe me mësues Josif Bagerin.
Ishte koha kur bëheshin manifestime spontane me parulla si “Liri, barazi, vëllazëri dhe drejtësi”, kur zbritën nga malet çetat e luftëtarëve të lirisë, kur gazeta “Lirija” e Mit’hat Frashërit, që filloi botimin në Selanik, i bënte thirrje popullit shqiptar të thyente “dyfekët, thikat, jataganët … Ato armë tani bëni pluar, bëni çekanë, se tani do rojtur me djersë të ballit”. “Në disa krahina shpallja e Kushtetutës u muar si shpallje e lirisë dhe e vetëqeverisjes së Shqipërisë” (“Historia e Shqipërisë”, vëllimi II, Tiranë 1984, f. 414). Përshëndet Kongresin e Manastirit 1908, duke e quajtur “Kushtrim shqiptarësh në Manastir” me idenë: “Besa, Toskë e Gegë kurri nuk i dajë”.
Por, edhe Josif Bageri, ashtu si shumë atdhetarë të tjerë u zhgënjye ngase xhonturqit filluan t’i qesin në harresë premtimet, ndaj iu kundërvu Turqve të Rinj me fytyra te reja, por ideologji të vjetër.
Luftën kundër politikës dhe ideologjisë së vjetër dhe çështjen për Shqipërinë e kombin shqiptar, të drejtat e lirisë së tyre, i trajton gjatë vjetëve 1909-1911 në gazetën “Shqypeja e Shqypënis”.
Që para të ndërpriste botimin e gazetës në dhjetor të vitit 1911, ai sëmuret rëndë dhe shtrohet në spital. Më 18 janar 1012 është në gjendje të rëndë. Por, nuk e ndërpret veprimtarinë atdhetare.
Pas 29 nëntorit 1912 i shkruan një letër Ibrahim Shytit në Vlorë dhe në janar 1914 lë Sofjen, niset për Shqipëri. Qëndron në Durrës. Ngarkohet me detyrë drejtuese si botues i revistës “Ushtimi i Krujës”. Dëshpërohet nga vëllavrasjet e zhvillimet. I shqetësuar përjetoi trazirat e 19 majit 1914 dhe luftimet e 23 majit në Rrashbull. Vendosi të largohet nga Shqipëria, të kthehej në Sofje pranë familjes, në zanatin e parë. Por, nuk arriti. I dobësuar fizikisht, i sëmurë, i vrarë shpirtërisht, gjatë udhëtimit vdiq në spitalin e Prishtinës.
II.
Profili i Bagerit si gazetar e publicist
Që herët në mërgim, autodidakt, duke mësuar me ngulm shkrimin e gjuhës shqipe, filloi të shkruajë vjersha, por edhe artikuj gazetareskë, botuar në të përkohshmet “Shqipëria” (në Bukuresht), “Drita” e “Kalendari Kombjar” (në Sofje), “Besa” (në Stambollë) dhe “Shpnesa e Shqypeniis” (Raguzë-Trieste-Romë) (Ruzhdi Mata- Josif Bageri-, Tiranë, 1983 f. 107)
Ai e ndjente nevojën e shtypit kombëtar dhe mendonte se ”Gazetat janë kombtregonjës … prej tyre merret vesh për një komb, çfarë kombi është” (Gazeta “Shpnesa e Shqypeniiis”, Raguzë, 5 tetor 1906).
Mes shkrimeve të shumtë të Josif Bagerit bien në sy artikuj politikë me shumë rëndësi për organizimin, drejtimin dhe udhëheqjen e centralizuar të Lëvizjes sonë Kombëtare. Një prej tyre që u prit me jehonë ishte ai me titull “Klithje” (Thirrje), publikuar në numrin e parë të gazetës së Nikolla Ivanajt, ku, duke iu drejtuar shqiptarëve, “mbrenda e jashtë Shqypenis”, shpjegon programin e Lëvizjes Kombëtare “që do të ishte thelbi i qeverisjes së shqypëtarve” (Gazeta “Shpnesa e Shqypeniis”, Raguzë, 1 janar 1907).
Pa kaluar një javë, në faqet e të përkohshmes “Drita” do të shkruante: “E para dhe e nevojshmja asht të shndritemi; e dyta, të shpëtojm pi robins e tiranis … të na ipet qeveritarnia në vete, që t’kemi kommbledhje (parlament) në të cilen t’punohen lixhet kombiar n’atë; dhe të kemi ushteri e vet për mprimin e kufijve tona” (Gazeta “Drita”, dt. 8-31 janar 1902)
Profili i Bagerit gazetar e publicist do të shpalohet më së qarti në faqet e gazet[s “Shqypeja e Shqypenis”, që ai do ta ideonte, drejtonte e redaktonte prej numrit të parë, më 15 maj 1909, dhe deri në numrin 66 në fund të vitit 1911. “Nga numri 41 kjo gazetë që botohej në Sofje … ishte nga organet kryesore përparimtare e demokratike në prag të Pavarësisë së Shqipërisë” (Plok Daka – Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë. 2009, Vëll. 3, f. 2625)
Përmbajtja, politika editoriale e kësaj të përkohshmeje ishte komplekse. Bëhej përpjekje që në kushtet, rrethanat e vështirësitë e atyre kohëve, duke filluar nga fakti që të gjitha proceset e çdo numri gazete deri në shpërndarjes bëheshin nga një dorë, vetëm Josef Bageri. Prandaj, ai u drejtohej lexuesëve: “Gjithë ata që duan të mirën e Shqipërisë lypet te keni bashkëpunim me ne” (Gazeta “Shqypeja e Shqypënis”, 23 janar 1910).
Dhe, kësaj thirrjeje i janë përgjigjur edhe rilindasit e mirënjohur si Luigj Gurakuqi e Asdreni, gazetarë e publicistë si Milto Sotir Gurra e Jani Vruho dhe shqiptarë nga Varna, Odesa, Konstantinopoja, Janina, Misiri, Italia, Amerika etj.
Përparësi kishin shkrimet e natyrës politike. Gazeta kritikonte veprimet shoviniste të qeveritarëve të shteteve fqinj për copëtimin e trojeve shqiptare, por më së shumti gazeta iu përkushtua problemeve politike kombëtare për çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Gazeta vlerësonte objektivisht: “fuqiat evropiane qe s’kan as pak përdëllim po lakmojn dhe kqyrin se si e qysh me e shti Shqypnin në kufiat e veta …” (Gazeta “Shqypeja e Shqypënis”.Nr. 26, dt. 15 maj 1910).
Bageri shkruan: “Na e dim fort shum mire se Serbia dhe Greqia jon t’rreptit anmik të Shqypenis, sepse shpresat e këtynej dy shteteve ishin dhe jon të gjendojn (zgjerojnë) kufiat e tynej, tuj shti Shqypënin në kufijt e veta” (Gazeta “Shqypeja e Shqypenis”, 17 prill 1910).
Kritikon fanatikët, që qorras, u shërbejnë sunduesve të huaj: “Hej, mor hej! Or’ derzinj, rrini n’bishte se po të ngrihen shqyptarët e vërtetë e të thërrasën metinge, kon me ju mbyt me një lug ujë, se ata s’’prrallen, as që tallen” (Gazeta “Shqypeja e Shqypënis”. 6 shkurt 1910).
Stigmatizon Arif Hikmetin të shkollës juridike turke në Selanik, nënkryetar i klubit shqiptar të Selanikut (“Shqypeja e Shqypënis”, 21 djetor 1909). Pareshtur i trajton si armiq të Shqipërisë që “nuk njohin kët komb të vjetër për komb të veçantë” (Fjala është për qeveritë e Evropës) … “intrigantët u përpoqën … për të shujt ket komb, kombin shqypëtar bashkë me gjuhen e tij prej faqes së dheut, po s’mundën, se shqypëtari e ka ruejt kombtarin dhe gjuhen e vet me trimni t’madhe. Kombi shqypetar mundi ta ruej kombtarin dhe kufiat e veta … me hutë n’dorë” (Gazeta “Shqypeja e Shqypënis”. nr. 20/ 1910).
Dituria, kultura e përparimi zënë vend të merituar në fletoren: “Shqypeja e Shqypënis” me lajtmotiv: “Dituria sytë na çel, ruan lirinë, shton vëllazrin se xith sa jena shqiptarë kena nji xhak, nji farë”.
Gjuha shqipe dhe problemet e saj në ato kohëra zënë vend të merituar në faqet e “Shqypes së Shqipenis”, duke u kujtuar lexuesve se gjuha shqipe “nuk na ka lon urt e në qetësi, por gjithmon na ka nguce për me punue pa mprojtun për ko mbin shqyptar, pra na s’e kem harruet po e kemi msu në male” (Gazeta “Shqypeja e Shqypënis”, 1 gusht 1909).
Josif Bageri ishte kundër atyre që nuk ishin për alfabetit latin që miratoi Kongresi i Manastirit. (Gazeta “Shqypeja e Shqypënis”, 6 shkurt 1910) dhe kërkonte unitet në të folur, ndaj shkruante: “Toskënishtja e gegënishtja nuk jan dy gjuhë prej dy kombesh, po së bashku të kombit shqiptar” (Gazeta “Shqypeja e Shqypënis”, 15 nëntor 1909).
Përkrah çdo nisme për kulturën dhe atdhesinë, shkruan: “Na fort shum gëzohemi se në ate Normalen e Elbasanit në kërthinëz të Shqypënis, temeluet e ka nji shoqni e cila ka marrë parësin për me shtue fuqinat dhe me gjanue (zgjeruar) krahanorin e djemve të ri, tuj i msue gjimnastik e kënk, cilat janë mnyra për ja gjat rrojtjen njeriut” (Gazeta “Shpnesa e Shqypënis”, n. 17/1910).
Portretizoi Spiro Garon, “q՚ë punoi burrërisht dhe i papërtuar për gjuhën, amen e vet shqiptare”; Veqilharxhin, Kristoforidhin, tre vëllezërit Frashëri, Abdyl, Naim e Sami, Pashko Vasën, Jani Vreton etj., që “ata fort mire kishin kuptue ç’asht kombësia e ditunia n’gjuhë t’vet” (Gazeta “Shpnesa e Shqypënisë”, 5 nëntor 1906).
E përkohshmja “Shqypeja e Shqypënis” doli me disa ndërprerje kohore, sidomos pas muajve të verës së vitit 1911, kur ishte në gjyq për borxhe. Bageri nuk u tërhoq dhe ndërmori një udhëtim në mërgatat shqiptare në Rumani, Bullgari dhe Odesë, ku siguroi një rrugëzgjidhje. Nga numri i 5 tetorit 1911 gazeta doli me emër “Shqiponja e Shqipërisë”.
III.
Trashëgime poetike dhe vlerësime
E vetmja përmbledhje ku janë botuar 37 vjersha, është vëllimi “Kopsht malsori”. Ky libër i vogël është trashëgimi e vyer e këtij atdhetari, veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Vëllimi përbëhet prej shumë copëza leximi, si “Atënia ky emër i bukur”, “Ujët, zjarmi dhe nderi”, “Malli i amës”, “Përtesa e varfëria”, “I mbeturi pa mësim”, “Guri i këlqeres”, “Teja bon dom”, .etj, që janë mësime diturie, natyrore, e shoqërore, edukate qytetare …
Dëshmon për inteligjencë, iniciativë, devotshmëri, vullnet dhe përpjekje për misionin që i ka vënë vetes. Autori thotë: “Nisma ta shkruaj këtë libër, me të cilin du me i sherbye kombit me sa që tëmundem, për mos me e lane në at’ errësin e moçme” (J. Bageri- “Kopsht malsori”, Sofje, 1910, f. 5). Më tej vë në dukje: “Dëshira dhe qellimi yn asht të çgjumin kombin (– po aty, f. 78).
Ndërsa, për vlerësimet e Bageerit publicist flasin ish kolegë dhe botues rilindas. Shkrimet e Bagerit u pritën me interes e jehonë në shqiptarë të Sofjes e jashtë saj, çka dëshmojnë letra të shumta drejtuar Nikolla Ivanajt Gazeta Shpnesa e Shqypënis”, 12 maj 1907). Sali Nivica publicist atdhetar, demokrat, njëri nga përfaqësuesit e rrymës demokratike revolucionare të kohës e uronte “burrin e vlefshëm për gazetën që fort shumë i kishte pëlqyer”. Saliu thoshte: “Ajo është një gazette e gatshme dhe si e tillë duhet të ndihmohet prej të gjithë shqiptarëve” (Gazeta “Shqypeja e Shqypënis”, 21 nëntor 1909). Visar Dodani, në një letër nga Bukureshti më 18 korrik 1910, shkruante: “Është i vetmi organ që mpron interesat e kombit shqiptar pa frig, pa lajka, pa gënjeshtra dhe paanësira. Vishëllen një pendë e një atdhetari tënë, cili ka pru dhe do ti sjellë shumë dobi të mdhaja amës Shqypënis cila ashte lumtun se ka kështu një bir, që me atë gjuhen e shijshun amtare na kënaq zembrat” (Gazeta “Shpnesa e Shqypeniis”, 2 shtator 1910). Jani Vruho nga Misiri, shkruante: “Shqiptarët e nesërm do t’ju kenë në radhë të parë të punëtorëve të çmuar për shërbimet e rralla që po i bëni kombësisë” (Gazeta “Shpnesa e Shqypeniis”, 15 nëntor 1910). Një prej atdhetarëve, admirues i gazetës së Bagerit, shkruante se “gazetat janë udhërrëfyese të kombit dhe qirinj të ndezur që duhen vendosur ndër kandilet që t’u bëjë dritë të gjithëve” (Gazeta “Shpnesa e Shqypeniis”, 7 nëntor 1909). Një shqiptar nga Lunxhëria e Gjirokastrës që punonte në Varna: “Në këto 20 numra që lëçita me kënaqësi të madhe, duke gjetur në secilin numër këshilla të larta e të pëlqyera fort shum, me një gjuhë të bukur dhe të ëmbël, jo ashtu si duen me thënë disa se qenka gegërisht a toskërisht, po fjesht shqyp dhe kuptuarshëm prej gjithë shqiptarëve” (Gazeta “Shpnesa e Shqypeniis”, 14 prill 1910).