Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të ri dhe të preferuar për çiftet e huaja që duan të kurorëzojnë dashurinë në mënyrë të veçantë.

Nga bregdeti magjepsës i jugut, deri te kalatë mesjetare e fshatrat piktoreske, vendi ofron një sfond unik për dasma që kombinojnë natyrën, historinë dhe mikpritjen tradicionale.


Arkitektja Juliana Osmënaj, e cila prej shumë vitesh merret me organizimin e këtyre eventeve thotë se prej më shumë se katër vitesh, Shqipëria është futur në hartën e “weddings destination”.

“Rasti na ka çuar me çiftet e përziera, pra kur njëri nga bashkëshortët ishte i huaj dhe duke parë këtë kënaqësinë që kur të huajt vinin këtu kishin edhe me zakonet tona të damave, lindi ideja që ta reklamonim si një ‘destination weddings’. Duke parë kërkesën që pati, avash-avash shkoi në projekte konkrete dhe tani mund të them që është trefishuar si kërkesa ashtu edhe konkretizimi i këtyre dasmave”.

Sipas Osmënajt, çiftet e huaja që zgjedhin Shqipërinë si vend për t’u martuar janë kryesisht nga Europa Veriore.

“Gjermani, Angli, vendet nordike, madje edhe nga Australia e Largët kemi pasur kërkesa. Normalisht duke qenë se është një dasmë me destinacion, vetë ata i ftojnë miqtë e tyre, por jo të gjithë janë në gjendje që të vijnë. Në përgjithësi variojnë në 50 persona, ka edhe me 30, ka edhe 80, më të rralla janë në 100”./Tv Klan