Dokumentari i ri intim për aktoren nuk arrin të trajtojë “aventurën” e saj më “të rrezikshme” - lidhjen me yllin me ngjyrë, Sammy Davis Jr.

Nga: Tim Robey, kritik filmi / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


“Tani ndihem sikur jam shumë afër fundit”, thotë Kim Novak me një zë të ulët dhe të dridhur. Aktorja e pensionuar, tashmë 93 vjeçe, është subjekti i një dokumentari të ri intim, Marramendja e Kim Novakut [Kim Novak’s Vertigo], në të cilin ajo shpalos kujtime të vjetra në shtëpinë e saj prej druri në Oregon. Që nga vdekja e bashkëshortit të saj të dytë, Robert Malloy, në vitin 2020, ajo ka jetuar atje e vetme, e rrethuar nga pikturat e saj evokuese dhe e magjepsur nga kujtimet.

Tavani i saj është parajsë për adhuruesit e filmit. Diku atje lart, i ruajtur, ndodhet kostumi gri që Edith Head dizajnoi për personazhin e saj më të famshëm, Madelejn Elster në [filmin] Marramendja [Vertigo]. Në film, Skoti që luhet nga James Stewart punësohet për të survejuar Madelejnën, gjë që shndërrohet në një ndjekje obsesive. Pasi duket sikur ajo bie drejt vdekjes, ai takon sozinë e saj, Xhudi Barton (po ashtu Novak), dhe këmbëngul që ajo të veshë të njëjtin kostum, për ta transformuar në imazhin e gruas së vdekur. (Ajo që ai nuk e kupton është se Xhudi po shtirej si Madelejna gjatë gjithë kohës, për të inskenuar vetëvrasjen.)

Novak dhe James Stewart gjatë xhirimeve të filmit “Marramendja”(Donaldson Collection/Getty Images)

Të shohësh Novakun duke e nxjerrë nga kutia këtë veshje totemike në ditët e sotme, kjo është një zbulesë e dhimbshme. Ajo shpërthen në vaj dhe e përdor atë për të fshirë lotët. Kaq e madhe është fuqia e filmit të Alfred Hitchcockut, ndikimi i paraqitjes së saj në të dhe roli qendror i Madelejnës/Xhudit në famën e saj - në fakt, Marramendja funksionon si komenti përfundimtar mbi gjithë karrierën e saj. “Mendoj se gjithmonë kam pasur një ndjesi pakënaqësie se më tjetërsonin”, thotë ajo për transformimin e saj fillestar në një yll, “prandaj, isha aq e përshtatshme për Marramendjen, sepse gjithçka ka të bëjë me këtë”.

Është e vështirë të besohet se Novaku nuk ishte as zgjedhja e parë e Hitchcockut për atë film. Ishte Vera Miles - një bionde më e rreptë të cilën ai e kishte angazhuar te Njeriu i gabuar [The Wrong Man, 1956]. Milesi e zhgënjeu duke mbetur shtatzënë dhe duke e refuzuar. Humbja e saj ishte përfitimi i Novakut - dhe i kinemasë.

- YouTube

Ishte viti 1957 dhe Novaku ishte 24 vjeçe. Katër vjet më parë, ajo kishte mbërritur në qytet nga Miduesti pa ndonjë reputacion më të madh se nofka “Mis Akulli” [Miss Deepfreeze], të cilën e kishte fituar nga një punë si modele në verën e fundit në kolegj, duke ekspozuar ngrirës në panaire tregtare.

Ngjitja kaq e shpejt në statusin e protagonistes kryesore ishte krejtësisht rezultat i formësimit, kontrollit dhe ndikimit imponues të magnatit të [produksionit] Columbia Pictures, Harry Cohn, i cili e pa atë si pasuese të të preferuarës së tij, Rita Hayworth - tashmë në rënie - dhe si rivale të objektit kryesor të dëshirës së [produksionit] 20th Century Fox në atë kohë, Marilyn Monroe.

Kishte probleme. Novaku nuk ishte më biondja natyrale që kishte qenë në moshën 13-vjeçare; ajo erdhi në Holivud me më shumë forma trupore sesa Cohni i konsideronte të dëshirueshme; dhe emri i saj ishte Marilyn Novak. E gjithë kjo duhej të ndryshonte.

Pasi i imponoi një dietë drastike dhe ia leu flokët, Cohni e përzgjodhi atë si fytyrën që kthente kokat e aktorëve më të moshuar meshkuj - më së shumti si mbretëresha e bukurisë 18-vjeçare Mexh në [filmin] Pikniku [Picnic, 1955], përballë William Holdenin.

Si bionde dhe me një dietë drastike, Novaku u detyrua të transformohej për të arritur statusin e protagonistes kryesore (foto rreth vitit 1960)(Silver Screen Collection/Getty Images)

Ky adaptim i veprës sensuale të vendosur në Kansas, nga William Inge, do të bëhej filmi që e shndërroi yll, në aktore të suksesshme. Por, Novaku ishte e frikësuar gjatë xhirimeve, e mahnitur nga Holdeni dhe nga regjisori i saj i mërzitshëm, Joshua Logan, dhe thellësisht e pasigurt për aftësitë e saj si aktore. Në moshën 22-vjeçare, ajo ishte të paktën më afër moshës së personazhit të saj sesa Holdeni, i cili ishte 15 vjet më i moshuar seç duhej dhe ajo e dinte këtë gjë. Sidoqoftë, ajo cilësia e Novakut si “lepur para dritave të makinës”, është pikërisht ajo që e bën interpretimin e saj të Mexhit mjaft prekës. Ajo është e ndrojtur dhe introverte, shumë larg imazhit të një joshëseje si Hayworth.

Gjatë kulmit të saj profesional, që zgjati pak më shumë se një dekadë, Novaku u lidh në ekran me Frank Sinatran dhe Dean Martinin. Por, ishte miku i tyre i [ekipit] Rat Pack, Sammy Davis Jr, ai që ajo njihte më mirë. Ata e nisën një romancë skandaloze jashtë ekranit, gjë që pothuajse shkatërroi karrierat e të dyve.

Gjithçka nisi në klubin e natës “Chez Paree” në vitin 1957, menjëherë pasi Novaku kishte përfunduar xhirimet e Marramendjes. Davisi po performonte; Novaku ishte ulur në një tavolinë pranë skenës dhe e mahnitur nga karizma e tij. Ai nuk guxonte t’i fliste në publik - e tillë ishte paranoja dhe racizmi i rrënjosur i epokës së Jim Crowit. Në vend të kësaj, u desh Tony Curtis të luante rolin e Kupidit duke organizuar spontanisht një festë dhe duke i ftuar të dy ata.

“E kaluan mbrëmjen bashkë - thellë në mendime, thellë në bisedë”, ka thënë më vonë Curtisi. “Mund ta shihja që në fillim se po merreshin vesh në mënyrë intensive, dhe ky ishte fillimi i marrëdhënies”.

Këngëtari dhe aktori Sammy Davis Jr, me të cilin Novaku pati një romancë të fshehtë jashtë ekranit(Evening Standard/Hulton Archive/Getty Images)

Të dy e dinin se do të ishte keq nëse figurat e fuqishme brenda industrisë do ta merrnin vesh - sidomos Cohni. Lidhja duhej të zhvillohej fshehurazi ose fare të mos ekzistonte. Davisi i kërkonte asistentit të tij personal, Arthur Silber, ta çonte te shtëpia e Novakut ndërsa ai rrinte i mbuluar me batanije në ulësen e pasme, për të shmangur vëmendjen e paparacëve dhe spiunëve të studiove. Më vonë ai mori me qira - në fshehtësi - një shtëpi plazhi në Malibu, për ta vazhduar lidhjen.

Siç do të shprehej më vonë Novaku: “Ishte një marrëdhënie shumë e rrezikshme atëherë - një grua e bardhë dhe një burrë i zi, pavarësisht statusit të tij - thjesht nuk pranoheshim publikisht. Papritur u gjenda në syrin e një uragani. Agjenti im më tha se karriera ime do të mbaronte nëse vazhdoja të takoja Sammyn. Disa nga miqtë e mi as nuk më kthenin telefonatat”.

Fatkeqësisht, gazetat sensacionale e kapën shpejt këtë lidhje dhe e ekzagjeruan tej mase. “Cili yll i njohur femër (KN) po takohet seriozisht me cilin artist të famshëm (SD)”? - pyeste kolumnistja Dorothy Kilgallen. Dy ditë më vonë ajo vazhdoi: “Drejtuesit e studiove tani dinë për lidhjen e KN-së me SD-së dhe janë bërë ‘lavender’ për bionden e tyre të platinit”. (“Lavender” i referohet ngjyrës karakteristike që departamenti i publicitetit i Columbia-s ia imponoi Novakut, edhe pse ajo e urrente.)

Numri i dhjetorit 1958 i revistës “Confidential”

Muajt në vijim ishin periudha më e frikshme e jetës së Davisit. Ai shpresonte të depërtonte në filma po aq me sukses sa Martini dhe Sinatra - një ëndërr të cilën për fat të keq nuk do ta arrinte, me figurat si Cohni i cili - në këtë betejë - kishte lidhje të forta me krimin e organizuar.

Në Ditën e Vitit të Ri 1958, një lajm thashethemesh në Chicago Sun-Times doli në shitje, duke pretenduar jo vetëm se çifti kishte kaluar Krishtlindjet së bashku - gjë që kërkonte që Davisi të tërhiqej nga një angazhim performues në hotelin “Sands”, për pakënaqësinë e Sinatras - por, gjithashtu pretendonte se ata kishin kërkuar leje martese.

Reagimi i tmerrshëm publik i asaj kohe ndaj kësaj forme të përzierjes racore nuk mund të nënvlerësohet. Po ashtu as reagimi i Holivudit i cili për dekada më pas do të paraqiste një marrëdhënie ndër-racore në ekran vetëm si krizë ose tabu - si në Qëllo kush vjen për darkë [Guess Who’s Coming to Dinner, 1967]. Madje edhe gazetat e komunitetit të njerëzve me ngjyrë u përfshinë, duke e dënuar Davisin si një “burim i pandërprerë turpi”.

“Cohni shpërtheu”, ka thënë Irv Kupcinet, kolumnisti përgjegjës i cili mori një reagim të ashpër nga magnati sapo artikulli u publikua.

Në fillim të vitit 1958, Cohni urdhëroi ose gangsterin John Roselli ose bosin e mafies Mickey Cohen - rrëfimet ndryshojnë këtu - që ta kërcënonin Davisin me dhunë fizike nëse nuk martohej me një grua të zezë brenda dy ditësh. Konkretisht, kërcënimi përfshinte thyerjen e këmbëve dhe nxjerrjen e syrit të shëndosh [me syrin e majtë kishte probleme pas një aksidenti më 1954]. Një këngëtare/balerinë e quajtur Loray White u propozua me nxitim nga Davisi, i cili kishte pasur më parë një lidhje me të, në Las Vegas. Cohni do t’ia paguante një shumë të konsiderueshme që të pranonte këtë marrëveshje, dhe pak më shumë se një vit më vonë ata u shkurorëzuan.

Davisi (në qendër) u martua me aktoren Loray White në vitin 1958 (gjithashtu në foto, nga a majta në të djathtë: aktorët Joe E Lewis, Harry Belafonte dhe Donald O’Connor)(Everett Collection Inc/Alamy Stock Photo)

Gjatë kësaj periudhe me tension të lartë, Novaku - e pasigurt dhe e pafuqishme - u tërhoq. Vetë ajo u fejua me regjisorin Richard Quine në vitin 1959, pa u martuar, dhe më pas u martua me aktorin britanik Richard Johnson, partnerin e saj në Aventurat dashurore të Moli Flandersit [The Amorous Adventures of Moll Flanders, 1965] - një martesë tjetër e shkurtër që përfundoi vitin pasues. Marrëdhënia e saj më e rëndësishme ishte ajo me veterinerin e kuajve Robert Malloy, të cilin e takoi në vitin 1974 dhe me të cilin u martua në vitin 1976. Ata do të qëndronin bashkë për 44 vjet, deri në vdekjen e tij në vitin 2020.


Novaku dhe Robert Malloy (foto e vitit 2013)(Marc Piasecki/FilmMagic)

Dy herë - shumë kohë pas romancës së tyre - Davisi dhe Novaku u ribashkuan në publik. Ata dolën në pistën e vallëzimit në një festë të natës së Oskarëve në vitin 1979, e përshkruar nga ata që e panë si një moment sfide publike. Dhe, Novaku e vizitoi Davisin në shtratin e vdekjes në vitin 1990, kur ai ishte në fazat e fundit të kancerit të laringut në Qendrën Mjekësore [Cedars-Sinai] në Los Anxhelos.

Thellësitë e vërteta të marrëdhënies së tyre mbeten të panjohura - dhe dokumentari i ri i Novakut nuk hedh asnjë dritë shtesë mbi to, pasi nuk e përmend fare Davisin. Ka pak edhe për marrëdhënien e saj me Alfred Hitchcockun, të cilin ajo e ka mbrojtur gjithmonë si një mentor - edhe pse saktësia e rreptë e vizionit të tij për Marramendjen e bën atë të duket si prova kryesore e shtypjes që thuhet se u bënte aktoreve të bukura.

Pavarësisht reputacionit të tij për keqtrajtimin e aktoreve, Alfred Hitchcocku është përshkruar si mentor nga Novaku (fotografuar së bashku gjatë xhirimeve të “Marramendjes”)(Ullstein Bild via Getty Images)

Ndoshta, më pak e çuditshme, nuk ka asgjë për polemikën kur filmi francez fitues i Oskarit në vitin 2011, Artisti [The Artist], ripërdori muzikë nga Marramendja, duke bërë që Novaku të publikonte një reklamë në një faqe të plotë në revistën Variety, me titullin: “Dua të raportoj një përdhunim”. Shpjegimi i saj për këtë shprehje kaq ekstreme ishte se ajo vetë kishte përjetuar përdhunim në rininë e saj dhe nuk e kishte raportuar kurrë.

Për herë të fundit ajo shkaktoi kontroversë publike në vitin 2014, kur doli në skenë në ndarjen e çmimeve Oskar me aktorin Matthew McConaughey. “Kimi duhet ta padisë kirurgun e saj plastik”! - shkroi në Twitter kandidati i mundshëm për president, Donald Trump, për pamjen e saj. Fatkeqësisht, ai nuk ishte i vetmi. Me gjithë komentet e pakëndshme që pasuan, të cilat e bënë të mos dilte nga shtëpia për ditë të tëra, nuk është çudi që ajo tani rri e izoluar në Oregon, duke rritur lama dhe duke mbajtur nën kontroll shëndetin e saj mendor. (Ajo u diagnostikua me çrregullim bipolar në vitin 2001, një gjendje që thotë se e ka trashëguar nga babai.)

Novaku merr Luanin e Artë për Arritje Jetësore në vitin 2025(Andreas Rentz/Getty Images)

Marrëdhëniet e Novakut me industrinë janë po aq të tensionuara tani sa kanë qenë gjithmonë. Një përplasje e re mund të jetë duke u krijuar rreth një dramatizimi të ardhshëm nga Netflix-i për lidhjen Novak/Davis, me titullin Skandaloze [Scandalous] - për shkak të raportimeve se Sydney Sweeney pritet të luajë rolin kryesor. (Regjisori i mundshëm do të jetë kolegu i saj në Eufori/Euphoria, Colman Domingo, ndërsa aktori britanik David Jonsson pritet të luajë Davisin.) Novaku sapo e ka përshkruar aktoren Sweeney si “krejtësisht të papërshtatshme për të më luajtur mua”, pjesërisht sepse ajo “bie shumë në sy nga mesi e lart”.

“Nuk do ta kisha miratuar kurrë”, shtoi ajo. Vetë Novaku nuk ka aktruar që nga përvoja e vështirë në filmin romantik misterioz të Mike Figgisit, Trauma [Liebestraum, 1991] - një film për ciklet e dashurisë dhe vdekjes, që e riktheu atë si një lloj yshtjeje. Për gjithë sinqeritetin emocional që kjo bionde e papërsëritshme e Hitchcockut shfaq, sekretet që ajo ende ruan mund të mbushnin një bibliotekë. /Telegrafi/