Japonia ia ka kaluar Britanisë së Madhe si vendi më i shtrenjtë për të dërguar punëtorë jashtë shtetit.
Sipas një raporti të MyExpatriate Market Pay nga kompania ECA International, kosto mesatare e punëtorëve emigrantë në Japoni u kushton punëdhënësve 405,685 dollarë – më shumë se çdo vend tjetër.
Studimi, i cili merr parasysh pagat, përfitimet dhe taksat, tregon se ka pasur një rritje të kostos së përgjithshme të paketave të punëtorëve emigrantë në Japoni.
Britania e Madhe tashmë renditet e dyta si vendi më i shtrenjtë për të dërguar punonjës jashtë shtetit në vitin 2020. Të tjerë që u renditën lart në listën e kostove të përgjithshme ishin India, Kina dhe Hong Kongu. Franca, Shtetet e Bashkuara, Zvicra, Argjentina dhe Tajvani ishin gjithashtu ndër 10 vendet e para.
Drejtori rajonal i ECA International, Lee Quane tha se rritja e kostove në Japoni ka ndodhur kryesisht për shkak të luhatjeve të monedhës, duke qenë se jeni japonez mbeti i qëndrueshëm në krahasim me dollarin amerikan vitin e kaluar.
Në shumë vende, pagesa e punëtorëve emigrantë u godit nga pandemia, duke rënë në raport me nivelet e vitit 2019. Hong Kongu ishte një nga të paktët që përjetoi një rritje të pagave të punëtorëve emigrantë.
“Megjithëse pagat për emigrantët në Hong Kong u rritën me më pak se 1 për qind, punëdhënësit ishin në gjendje të përfitonin nga kostot më të ulëta të akomodimit dhe të zvogëlonin sasinë e mbështetjes financiare të ofruar për strehim në krahasim me vitin e kaluar”, tha Quane.
Këtë vit, kishte edhe disa dallime të dukshme. Tajvani, Kanadaja dhe Maroku ishin tre vende që u përfshinë në listën e 20 vendeve më të shtrenjta për punëtorët e huaj për vitin 2020, pasi kostoja e përgjithshme e paketave të emigrantëve u rrit.
“Kostoja e punësimit të një emigranti mesatar në Tajvan u rrit me 10,733 dollarë vitin e kaluar. Si pasojë, Tajvani ia ka kaluar kombeve si Koreja e Jugut dhe Australia në renditje, dhe tani është vendi i dhjetë më i shtrenjtë për të punësuar staf të huaj”, përfundon Quane, duke vënë në dukje se përgjigja e fortë e shtetit ndaj pandemisë rriti çmimet e shtëpive. /Telegrafi/