Jannik Sinner e mposhti Novak Gjokovicin me rezultatin bindës 6-3, 6-3, 6-4 për të siguruar finalen e Wimbledonit, ku do të përballet me Carlos Alcaraz të dielën.

Kjo do të jetë finalja e katërt radhazi në një Grand Slam për numrin një në botë, por e para në All England Club.


23-vjeçari italian kërkon hakmarrje ndaj Alcaraz pas humbjes dramatike në finalen e Roland Garros, ku kishte shpërdoruar tri pikë për titull. Dyshja ka fituar bashkë gjashtë Grand Slame të fundit, duke dominuar skenën e tenisit të meshkujve.

Humbja e rëndë përfundoi ëndrrën e Gjokovic për të barazuar rekordin e Roger Federer me tetë tituj të Wimbledonit dhe për të fituar Grand Slam-in e tij të 25-të..

Sinner ishte në kontroll që nga fillimi, pavarësisht një dëmtimi të mëparshëm në bërryl. Ai e thyeu Gjokovic herët në setin e parë dhe ruajti epërsinë me saktësi dhe dominim në lojë.

Italiani vazhdoi të dominojë edhe në setin e dytë dhe të tretë, duke shfrytëzuar çdo dobësi të kundërshtarit dhe duke e mbyllur ndeshjen pas më pak se dy orësh.

Carlos Alcaraz arriti në finalen e tij të tretë radhazi të Wimbledonit, teksa kampioni në fuqi luftoi për një fitore 6-4, 5-7, 6-3, 7-6(6) kundër amerikanit të renditur të pestë Taylor Fritz të premten.

Kjo fitore i jep Sinnerit një tjetër mundësi për të thyer Alcarazin, të cilin e kishte mposhtur në Wimbledon në vitin 2022 – që mbetet edhe humbja e fundit e spanjollit në këtë turne.

Finalja e së dielës pritet të jetë kulmi i një rivaliteti të ri të madh në botën e tenisit. /Telegrafi/

telegrafi sport app