Nga: David Grossman, shkrimtar i njohur izraelit veprat e të cilit janë përkthyer në mbi 45 gjuhë
Përkthimi nga hebraishtja në anglisht: Jessica Cohen / The New York Times
Përkthimi nga anglishtja në shqip: Agron Shala / Telegrafi.com
Derisa mëngjesi i 7 tetorit po largohet në distancë, duket se tmerret e tij po shtohen. Sërish dhe përsëri, ne, izraelitët, vetes i flasim për atë se çfarë është bërë pjesë e historisë formuese, e identitetit dhe fatit tonë. Se si terroristët e Hamasit për disa orë pushtuan shtëpitë e izraelitëve, vranë rreth 1 200 njerëz, përdhunuan dhe rrëmbyen, plaçkitën dhe dogjën. Gjatë atyre orëve të makthit – përpara se Forcat Mbrojtëse të Izraelit të kthjelleshin nga tronditja – izraelitët kishin pikëpamje të vrazhdë dhe konkrete për atë që do të mund të ndodhte nëse vendi i tyre pëson jo vetëm goditje ndëshkuese, por nëse pushon së ekzistuari. Nëse nuk do të kishte më Izrael.
Kam biseduar me hebrenjtë që jetojnë jashtë Izraelit të cilët kanë thënë se përgjatë atyre orëve, ekzistenca e tyre fizike – dhe shpirtërore – ndihej e pambrojtur. Por, edhe më shumë se kaq: Përgjithmonë u rrëmbye një pjesë e forcës së tyre jetësore. Disa madje u befasuan nga përmasat në të cilat kishin nevojë që Izraeli të ekzistojë – edhe si ide edhe si fakt konkret.
Kur ushtria nisi të kundërpërgjigjet, shoqëria civile u bë gati që në mënyrë masive të përfshihej në operacionet e shpëtimit dhe të logjistikës, me mijëra ata qytetarë që dolën vullnetarë për të bërë atë që qeveria duhej ta kishte bërë po të mos të ishte në gjendje të paralizës nga mungesa e përgjegjësisë.
Në kohën e këtij publikimi – bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi në Gazë – që nga 8 tetori më shumë se 30 mijë palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës. Shifra përfshin shumë fëmijë, gra dhe civilë, shumë prej të cilëve nuk ishin anëtarë të Hamasit dhe të cilët nuk e luajtën asnjë rol në ciklin e luftës. “Të papërfshirë”, siç i quan Izraeli në konflikt, gjuhë kjo me të cilën, në luftë, kombet mashtrojnë veten për të mos u përballur me pasojat e akteve të veta.
Studiuesi i njohur i kabalës, Gershom Scholem, e shpiku një thënie: “I gjithë gjaku rrjedh në plagë”. Gati pesë muaj pas masakrës, kështu ndihet Izraeli. Frika, tronditja, xhindosja, pikëllimi, poshtërimi dhe hakmarrja, energjitë mendore të një kombi të tërë – të gjitha këto nuk e ndalën rrjedhën drejt asaj plage, drejt humnerës në të cilën ne ende po biem.
Nuk mund t’i lëmë mënjanë mendimet tona për vajzat dhe gratë e reja, si dhe për burrat të cilët, me sa duket, u përdhunuan nga sulmuesit nga Gaza, nga vrasësit që filmuan krimet dhe që drejtpërdrejt ato ua transmetonin familjeve të viktimave; për foshnjat e vrara; për familjet që u dogjën për së gjalli.
Dhe, për pengjet. Për ata izraelitë të cilët për 146 ditë mbahen në tunele, disa ndoshta në kafaze. Janë fëmijë dhe të moshuar, gra dhe burra, disa prej të cilëve të sëmurë dhe të cilët ndoshta po vdesin nga oksigjeni dhe nga mjekimi që janë të pamjaftueshme – si dhe nga dëshpërimi. Ose, ndoshta po vdesin sepse qeniet e zakonshme njerëzore, të cilat janë të ekspozuara ndaj së keqes absolute, demonike, shpeshherë e humbasin vullnetin e lindur për të jetuar – vullnetin për të jetuar në një botë në të cilën e keqja dhe mizoritë e tilla janë të mundshme. Në të cilën jetojnë njerëzit e tillë si terroristët e Hamasit.
Përmasat e ngjarjeve të 7 tetorit ndonjëherë e fshijnë kujtesën tonë për atë që ndodhi më parë. E, megjithatë, në shoqërinë izraelite çarjet alarmante shfaqeshin rreth nëntë muaj para masakrës. Qeveria, me Benjamin Netanyahun në krye, përpiqej të sundonte përmes një sërë hapash legjislativë të cilët krijoheshin për ta dobësuar rëndë autoritetin e Gjykatës së Lartë, duke ia dhënë – në atë mënyrë – goditjen vdekjeprurëse karakterit demokratik të Izraelit. Qindra-mijëra qytetarë dolën në rrugë, për çdo javë, gjithë ata muaj më parë, për të protestuar kundër planit të qeverisë. Krahu i djathtë izraelit e mbështeti qeverinë. Gjithnjë e më shumë, i gjithë kombi po polarizohej. Diçka që dikur ishte debat legjitim ideologjik midis të djathtës dhe të majtës, evoluoi në një spektakël të urrejtjes së thellë mes fiseve të ndryshme. Diskursi publik u bë i dhunshëm dhe toksik. U dëgjuan bisedat për ndarjen e vendit në dy popuj të veçantë. Dhe, publiku izraelit ndjeu se po dridhen dhe se mund të rrëzohen themelet e shtëpisë kombëtare.
Për ata prej jush që jetojnë në vendet në të cilat koncepti i shtëpisë merret si i mirëqenë, më duhet të shpjegoj se për mua, përmes optikës time izraelite, fjala “shtëpi” do të thotë ndjenjë sigurie, mbrojtjeje dhe përkatësie që mbështjell mendjen me ngrohtësi. Shtëpia është vendi ku lehtësisht mund të ekzistoj. Dhe, është një vend kufijtë e të cilit janë të njohur nga të gjithë – në veçanti, nga fqinjët e mi.
Por, për mua, të gjitha këto ende zhyten në dëshirën e zjarrtë për diçka që kurrë nuk është arritur sa duhet. Aktualisht, kam frikë se Izraeli është më shumë një kështjellë sesa shtëpi. Nuk ofron as siguri, as qetësi, dhe fqinjët e mi fshehin shumë dyshime dhe kërkesa për dhomat dhe muret dhe, në disa raste, për vetë ekzistencën e tij. Në atë të shtunë të zezë e të tmerrshme, doli se Izraeli jo vetëm që është ende larg të qenit shtëpi, në kuptimin e plotë të fjalës, por nuk di të jetë as kështjellë e vërtetë.
Sidoqoftë, izraelitët me të drejtë janë krenarë për mënyrën e shpejtë dhe efikase me të cilën, kur vendi kërcënohet, u mblodhën për të ofruar mbështetje të ndërsjellë – qoftë nga një pandemi si ajo e Kovidit-19 apo nga një luftë. Në të gjithë botën, ushtarët rezervistë hipën në aeroplanë për t’u bashkuar me shokët e tyre ushtarë të cilët tashmë ishin mobilizuar. Shkonin “për ta mbrojtur shtëpinë tonë”, siç thoshin shpesh në intervista. Kishte diçka prekëse në këtë histori unike: Këta të rinj dhe këto të reja nxituan në front, nga të gjitha skajet e tokës, për të mbrojtur prindërit dhe gjyshërit e tyre. Dhe, ishin të përgatitur për ta dhënë jetën e vet. Po aq emocionuese ishte ndjenja e unitetit që mbizotëronte në tendat e ushtarëve, ku opinionet politike nuk ishin të rëndësishme. Gjithçka që kishte rëndësi ishte solidariteti – dhe miqësia.
Por, izraelitët e brezit tim, të cilët kanë kaluar nëpër shumë luftëra, tashmë pyesin – siç bëjmë gjithmonë pas një lufte: Pse ky unitet shfaqet vetëm në kohë krize? Pse vetëm kërcënimet dhe rreziqet na bashkojnë dhe nxjerrin në pah më të mirën tonë, dhe gjithashtu na largojnë nga tërheqja jonë e çuditshme për vetëshkatërrim – shkatërrimin e shtëpisë sonë?
Këto pyetje provokojnë një pikëpamje të dhimbshme: Dëshpërimi i thellë i ndier nga shumica e izraelitëve, pas masakrës, mund të jetë rezultat i gjendjes së hebrenjve në të cilën edhe një herë jemi hedhur. Është gjendja e kombit të përndjekur, të pambrojtur. Një komb i cili përkundër arritjeve të mëdha në kaq shumë fusha, ende është, thellë brenda vetes, komb i refugjatëve, i përshkuar me perspektivën për t’u çrrënjosur edhe pas gati 76 vjetëve të sovranitetit. Sot është më e qartë se kurrë se ne gjithmonë duhet të bëjmë roje për këtë shtëpi të depërtueshme dhe të brishtë. Ajo që gjithashtu është sqaruar është se sa e rrënjosur është urrejtja ndaj këtij kombi.
Një mendim tjetër vijon për këta dy popuj të torturuar: Trauma e të qenit refugjat është thelbësore dhe primare si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët, dhe megjithatë asnjëra palë nuk është në gjendje ta shohë tragjedinë e tjetrit me një grimë mirëkuptimi – për të mos përmendur këtu dhembshurinë.
Si rezultat i luftës, një fenomen tjetër i turpshëm ka dalë në sipërfaqe: Izraeli është i vetmi vend në botë, eliminimi i të cilit kërkohet më haptazi.
Në demonstratat e ndjekura nga qindra-mijëra njerëz, në kampuset e universiteteve më të respektuara, në mediat sociale dhe në xhamitë në të gjithë botën, shpeshherë dhe me entuziazëm kontestohet dhe e drejta e Izraelit për të ekzistuar. Kritika e arsyeshme politike që merr parasysh kompleksitetin e situatës mund t’ia hap rrugën – kur bëhet fjalë për Izraelin – retorikës së urrejtjes që mund të ftohet (nëse mundet) vetëm me shkatërrimin e shtetit të Izraelit. Për shembull, kur Saddam Husseini vrau mijëra kurdë me armë kimike, nuk pati thirrje për ta shkatërruar Irakun, për ta fshirë nga faqja e dheut. Vetëm kur bëhet fjalë për Izraelin, është e pranueshme që të kërkohet, publikisht, eliminimi i një shteti.
Protestuesit, zërat me ndikim dhe udhëheqësit publikë duhet të pyesin veten se çfarë ka në lidhje me Izraelin që e provokon këtë urrejtje. Pse Izraeli, nga 195 vendet e planetit, është i vetmi i kushtëzuar, thuajse ekzistenca e tij varet nga vullneti i mirë i kombeve të tjera të botës?
Është e pështirë të mendosh se kjo urrejtje vrastare i drejtohet vetëm një populli i cili, në fakt, më pak se një shekull më parë pothuajse u zhduk. Ka gjithashtu diçka të hidhur përkitazi me mungesën e sinqeritetit midis ankthit ekzistencial hebraik dhe dëshirës së shprehur publikisht nga Irani, Hezbollahu, Hamasi dhe të tjerët, që Izraeli të pushojë së ekzistuari. Për më tepër, është e patolerueshme që disa palë përpiqen ta kthejnë konfliktin izraelito-palestinez në kornizën kolonialiste dhe me dashje e kokëfortësi harrojnë se hebrenjtë nuk kanë vend tjetër – ndryshe nga kolonialistët evropianë me të cilët krahasohen në mënyrë të rreme, duke e errësuar edhe faktin se hebrenjtë nuk arritën në tokën e Izraelit për ta pushtuar, por për të kërkuar siguri; se afiniteti i tyre i madh me këtë tokë është gati 4 000-vjeçar; se këtu dolën si komb, fe, kulturë dhe gjuhë.
Mund të paramendohet gëzimi keqdashës me të cilin këta njerëz shkelin në vendin më të brishtë të kombit hebre, në ndjenjën e të qenit i huaj, në vetminë e tij ekzistenciale – atë pikë nga ku nuk ka strehë. Është ky pozicioni që shpeshherë e dënon të bëjë gabime të tilla fatale dhe shkatërrimtare – shkatërrimtare si për armiqtë ashtu edhe për vetveten.
Kush do të jemi ne – izraelitët dhe palestinezët – kur kjo luftë e gjatë dhe mizore do të marrë fund? Jo vetëm që kujtimi i mizorive të shkaktuara ndaj njëri-tjetrit do të qëndrojë për shumë vjet mes nesh, por gjithashtu – siç është e qartë për të gjithë ne – sapo Hamasi do ta ketë mundësinë, ai me shpejtësi do të zbatojë qëllimin e përcaktuar qartë në statutin themeltar: gjegjësisht, detyra fetare për ta shkatërruar Izraelin.
Atëherë, si mund ta nënshkruajmë traktatin e paqes me një armik të tillë?
E, megjithatë, çfarë zgjedhje kemi?
Palestinezët do t’i kenë hesapet e veta. Unë, si izraelit, pyes se cili lloj i njerëzve do të jemi kur lufta përfundon. Ku do ta drejtojmë fajin tonë – nëse jemi mjaft të guximshëm për ta ndier atë – për atë që ua kemi shkaktuar palestinezëve të pafajshëm? Për mijëra fëmijë që kemi vrarë. Për familjet që kemi shkatërruar.
Dhe, si do të mësojmë – në mënyrë që të mos befasohemi më kurrë – ta jetojmë një jetë të plotë në teh të thikës? Por, sa njerëz duan ta çojnë jetën dhe të rrisin fëmijët e vet në tehun e kësaj thike? Dhe, cilin çmim do ta paguajmë për të jetuar në vigjilencë dhe dyshim të vazhdueshëm, në frikë të vazhdueshme? Kush prej nesh do të vendosë se ai nuk dëshiron – ose nuk mundet më – ta jetojë jetën e ushtarit të përjetshëm, të spartanit?
Kush do të qëndrojë këtu në Izrael dhe a do të jenë ekstremistët, fetarët më fanatikë, nacionalistët, racistët ata që do të mbeten këtu? A jemi të dënuar të shikojmë, të paralizuar, teksa izraelizmi i guximshëm, krijues dhe unik po zhytet gradualisht në plagën tragjike të judaizmit?
Këto pyetje ka të ngjarë ta shoqërojnë Izraelin për vite me radhë. Megjithatë, ekziston mundësia të ngrihet një realitet rrënjësisht më ndryshe për të luftuar me këtë. Ndoshta njohuria se kjo luftë nuk mund të fitohet dhe, për më tepër, se nuk mund ta zotërojmë pafundësisht pushtimin, do t’i detyrojë të dy palët të pranojnë zgjidhjen me dy shtete e cila, pavarësisht nga të metat dhe rreziqet e saj (para së gjithash se Hamasi do të marrë përsipër Palestinën në zgjedhjet demokratike), a është ende e vetmja e realizueshme?
Kjo gjithashtu është koha për ato shtete që mund të ushtrojnë ndikim mbi të dyja palët, që ta përdorin atë ndikim. Nuk është koha për politika të vogla dhe diplomaci cinike. Ky është momenti i rrallë kur një valë goditëse, si ajo që përjetuam më 7 tetor, ka fuqinë të riformësojë realitetin. A nuk e shohin vendet që interesohen në këtë konflikt, se izraelitët dhe palestinezët nuk janë më në gjendje ta shpëtojnë veten?
Muajt e ardhshëm do ta përcaktojnë fatin e dy popujve. Do të zbulojmë nëse konflikti që zgjat më shumë se një shekull është pjekur për një zgjidhje e arsyeshme, morale, njerëzore.
Sa tragjike është që kjo nuk do të ndodhë – nëse vërtet ndodh – nga shpresa dhe entuziazmi, por nga lodhja dhe dëshpërimi. Pastaj dhe përsëri, kjo është gjendja shpirtërore e cila shpeshherë i shtyn armiqtë të pajtohen, dhe sot kjo është gjithçka për të cilën ne mund të shpresojmë. Dhe, kështu, mjaftohemi me të. Duket se është dashur ta kalojmë vetë Ferrin për të arritur në vendin nga i cili mund të shihet një ditë jashtëzakonisht e ndritshme – skaji i largët i Parajsës. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët