Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja.

Ajo theksoi se Nisma do ta mbështesë çdo shumicë të krijuar nga partia fituese e zgjedhjeve.


“Në momentin që partia e parë e ka të mundur që të krijojë një shumicë, ne do të jemi aty pa asnjë kusht. Nuk ka të bëjë vetëm me Nismën që të jetë pjesë e partneritetit, por me secilën parti që VV bën një shumicë, Nisma do ta ndihmojë në krijimin e institucioneve”, tha Izmaku.

Megjithatë, ajo shprehu skepticizëm për arritjen e një marrëveshjeje, duke kritikuar mungesën e gatishmërisë për kompromis mes liderëve politikë.

“Derisa shoh këtë lidership që nuk e shohin kompromisin si një vlerë në demokraci, por e shohin si një ligësi, unë nuk shoh se do të ketë zgjidhje”, theksoi deputetja e Nismës.

Izmaku shtoi se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet institucional dhe se vonesat e vazhdueshme po e dëmtojnë funksionimin demokratik të shtetit. /Telegrafi/