Izet Haxhia, ish-truproja dhe një nga njerëzit më të afërt të Sali Berishës, gjatë pushtetit të tij të parë, deklaron për Shqiptarja.com se, në vjeshtën e vitit 1998, është gjendur në kamionin me eksploziv, i cili do të hidhte në erë ambasadën amerikane në Tiranë.
Haxhia thotë se këtë skenar, që mund të sillte shumë viktima dhe armiqësimin e Shqipërisë me SHBA, e pengoi vrasja e Azem Hajdarit. Ish-truproja i Sali Berishës u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë skenarin e mbetur në tentativë të hedhjes në erë të ambasadës amerikane si dhe vrasjen e Azem Hajdarit, duke marrë në pyetje disa protagonistë të asaj kohe, përfshirë edhe Sali Berishën.
“Është e vërtetë që ka patur një skenar për hedhjen në erë të ambasadës amerikane në vjeshtën e ’98, në prag të sulmeve të NATO ndaj Serbisë, duke përdorur celulat e Bin Laden në Shqipëri. Në këtë skenar, pa dijeninë time, do gjendesha në kamionin me eksploziv që do hidhe në erë ambasadën amerikane, por vrasja e Hajdarit e pengoi këtë skenar, vrasje në të cilën u gjenda i përzier pa dijeninë time”, thotë Haxhia.
Reagimi
Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, e solli në vëmendje skenarin në fjalë, duke iu referuar librit të agjentit të shërbimit sekret francez, DSG, Gerard De Villers, me titullin, Shqipëria Misioni i Pamundur. Libri konfirmon skenarin, për të cilin Haxhia ka folur përciptazi edhe kohë më parë.
“Po duhet të merren në pyetje edhe Fatos Klosi dhe Arian Dyrmishi që i kanë dhënë skenarin e këtij libri të De Villers. De Villers është shoqëruar gjatë vizitës së tij në SHIK nga Arian Dyrmishi, ku ka takuar e ndenjur gjatë me Klosin. Të shifen arkivat e SHIK-ut të asaj kohe çfarë thonë për vizitën e De Villers, një agjent i shërbimit sekret francez. Segmente të caktuara të UÇK kanë patur lidhje me UDB serbe dhe me shërbimin sekret francez”, thotë Haxhia.
Heshtja e Berishës
Haxhia ngre pikëpyetje rreth rolit të Sali Berishës, heshtjes së tij dhe bashkëpunimit me Fatos Nanon.
“Të hetohet për skenarin e aktit terrorist të hedhjes në erë të ambasadës amerikane në Tiranë, ku do shkaktoheshin shumë viktima. Të hetohet për vrasjen e Hajdarit, motivi i së cilës del qartë në këtë libër, dhe ishte realizimi i kësaj vrasje që pengoi skenarin e hedhjes në erë të ambasadës amerikane, çka përveç një krimi kundër njerëzimit, do të pengonte goditjen e forcave të NATO-s, kundër Serbisë, duke krijuar armiqësinë e vendit tonë me Amerikën dhe imazhin e një strehë të terroristeve të lidhur me Osama Bin Laden. Përse deri më sot, Berisha nuk ja ka përmendur këtë libër Klosit, edhe pse dihet armiqësia e tij me Klosin, që në bashkëpunim me Nanon arritën ta shkarkojnë nga detyra e shefit të SHIK-ut në vitin 2002. Si gjithmonë për gjërat që nuk i konvenojnë Berisha përdor mënyrën e heshtjes. Në këtë libër duket qartë skenari dhe faktorët dhe autorët, që u përzien e morën pjesë aktive edhe në skenarin e vrasjeve e pergjakjes së Tropojës”, thotë ai.
Pyetjet për Berishën
Izet Haxhia ka shtruar disa pyetje për Berishën, jo vetëm për skenarin e atentatit, por dhe për ngjarje të tjera.
“Kush e vodhi thesarin në Kërrabë në mars 1997, pasi njerëzit e mi i tërhoqe nga ruajtja dhe ua dhe grupit të SHIK me Xhahit Xhaferin në krye? A të kujtohet pse u ndamë përfundimisht bashkë? Për moszbatimin e cilës porosi? Mos më porosite që të bombardoja ambasadën e një vendi mik, ambasadoren e së cilës e quajte lavire e që duhej ndëshkuar? Ti je vrasësi i Tropojë. A të kujtohet kur më kërkove që të dërgoja njerëzit e mi me autoblinda të shtypnin tropojanë që urreje? Kush e dha urdhrin mbrëmjen e 13 shtatorit kur the duhet të hakmerremi ndaj Fatos Nanos, që pastaj e bëre mik? Pse i ndërron vrasësit sipas kohës?”, thotë Haxhia.
14 Shtatori ‘98
Ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia ka deklaruar se ka qenë njëri prej zbatuesve të skenarit të grushtit të shtetit në 14 Shtator të ’98, me urdhër të Sali Berishës.“Sa për kërcënimin e tij se, do t’u duket lule 14 Shtatori, marshalli e tregon vetë se ai ka qenë organizatori i këtij grushti të pastër shteti, i organizuar në një kohë mjaft delikate për çështjen e Kosovës. Unë që kam qenë një nga zbatuesit e këtij skenari, për grusht shteti, me direktivë të marshallit”, ka deklaruar Haxhia.
Mediat ndërkombëtare
Një sërë portalesh dhe media investigative ndërkombëtare, si “Qendra për Paqe në Ballkan”, “Historycommons”, apo dhe revista e inteligjencës “Jane”, të cilat u janë referuar raportimeve të mediave të kohës, dokumenteve të Interpolit dhe informacioneve të dhëna nga një agjent i CIA-s, kanë raportuar se në 9 prill të vitit 1994, Osama Bin Laden ka udhëtuar në Shqipëri, si pjesë e një delegacioni të qeverisë saudite dhe është takuar me zyrtarë të qeverisë vendase. “Bin Laden vizitoi Shqipërinë si anëtar i delegacionit të qeverisë së Arabisë Saudite dhe u takua me zyrtarët e qeverisë vendase. Ai e prezantoi veten si mik të qeverisë së Arabisë Saudite dhe se mund të financonte projekte humanitare. Megjithatë, qeveria e Arabisë Saudite, më herët, po atë muaj kishte ndërprerë të gjitha lidhjet me Bin Laden. Një ish-oficer i zbulimit amerikan do të ankohej në vitin 1999: ‘Pse ishte ai një anëtar i atij delegacionit? Sauditët supozohej të ishin aleatët tanë. Ata na thanë se ai ishte person non grata, por këtu ai ishte në një vizitë zyrtare’”, thuhet në dokument, për të cilin ka raportuar dhe “Uashington Times” në vitin 2001.
Qëndrimi i Berishës
Sali Berisha ka mohuar raportimet e mediave dhe CIA-s se është takuar me Osama Bin Laden. “Në delegacionin zyrtar të nivelit të lartë të Arabisë Saudite që ka vizituar vendin tonë në vitin 1995, apo rast tjetër, Osama Bin Laden nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri. Ky pretendim është tejet qesharak edhe për faktin botërisht të njohur se asokohe, dinastia Saudite ishte shpallur nga Osama Bin Laden si një armike për t’u përmbysur për shkak të politikes dhe lidhjeve të ngushta të saj me SHBA”, ka deklaruar Berisha.
Haxhia gati të dëshmojë
Izet Haxhia, ish-badigardi i Sali Berishës, thotë se ai është dëshmitar i gjallë i krimeve të tij. Por, edhe pse ka gati dy vjet që i denoncon këto krime, askush nuk guxon ta marrë në pyetje. “Kam më tepër se një vit e gjysmë që po denoncoj bëmat e krimet e marshallit në disa prej të cilave kam qenë edhe zbatues e pjesëmarrës në to, por as edhe një prokuror apo gjyqtar nuk ka marrë as mundim për të më pyetur apo lere për t’i hetuar ato. Në kohen kur janë kryer këto bëma e krime nuk ka pasur ‘qytetar dixhital’ por ka pasur një dëshmitar e pjesëmarrës që është akoma gjallë, e ky jam unë. Të habit fakti që për një denoncim të “qytetarit dixhital” hidhen po me porosi të marshallit në akte ‘heroike‘ prokurorët e Llallës, ndërsa për ato që kam rrëfyer unë një heshtje varri”, ka deklaruar Haxhia. /Shqiptarja/