Policia e Shtetit ka njoftuar se ka finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 42".

Në njoftimin e bërë thuhet se 57 vjeçari u arrestua në Lushnjë, pasi ishte i dënuar nga autoritetet italiane, me 24 vjet burgim, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.


"Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve, me partnerët italianë, nëpërmjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 42”, lokalizuan në Lushnjë, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin: Fatbardh Haxhiu alias Bardhyl Haxhiu, 57 vjeç, banues në Lushnjë", theksohet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu, thuhet se ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, Itali, në vitin 2008, e ka dënuar me 24 vjet burgim, për veprën penale "Organizata kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike".

"Gjatë periudhës 01.05.2002 - 30.07.2003, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë, ka trafikuan sasi kokaine 15 - 130 kg, në Caserta, Itali", bëhet e ditur në njoftim.

Tutje, theksohet se Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë, për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali. /Telegrafi/