LAJMI I FUNDIT:

Ish zëdhënësi i NATO-s: Edhe pas 22 vitesh, kujtimet e mia për luftën në Kosovë janë ende të gjalla

Ish zëdhënësi i NATO-s: Edhe pas 22 vitesh, kujtimet e mia për luftën në Kosovë janë ende të gjalla

Kanë kaluar 22 vjet që kur NATO filloi një fushatë ajrore kundër forcave ushtarake dhe policore të ish federatës Jugosllave, për t’i dhënë fund spastrimit etnik që regjimi i Millosheviqit po demonstronte kundër shqiptarëve të Kosovës.

Një nga protagonistët kryesorë të kësaj fushate ishte edhe Jamie Shea, ish-zëdhënësi i Aleancës së NATO-s. Në një intervistë me shkrim dhënë për KosovaPress, Shea tregon se si e kishte përjetuar fillimin e bombardimeve dhe tërë fushatën ajrore kundër forcave të regjimit të Millosheviqit.

Pas 22 vitesh, Shea kujton momentet më të ndjeshme që kanë lënë gjurmë në kujtesën e tij dhe gjithashtu perspektivën e tij mbi zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë këtyre 22 viteve.


KP: Shea, sot 22 vjet më parë NATO filloi fushatën ajrore kundër caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë. Ju ishit zëdhënës i NATO-s në atë kohë dhe populli i Kosovës sot ju kujton si një hero? Na tregoni ju lutem si ndiheni sot pas 22 vitesh?

Shea: Edhe pas 22 vitesh, kujtimet e mia për luftën në Kosovë janë ende të gjalla. Në një kohë kur të drejtat e njeriut janë shtypur në shumë vende të botës, unë jam i kënaqur që NATO ishte në gjendje të mbrojë të drejtat e popullit të Kosovës dhe t’i japë fund fushatës brutale të spastrimit etnik që u krye nga regjimi i Millosheviqit. Unë vetëm do doja që NATO të ketë qenë në gjendje të bëjë të njëjtën gjë edhe në Bosnjë, duke ndërhyrë më herët në atë konflikt. Asgjë që ka ndodhur në 25 vitet e fundit nuk më ka bërë të ndryshoj mendimin se ndërhyrja në Kosovë ishte një ndërhyrje humanitare e domosdoshme dhe plotësisht e arsyetuar. Sigurisht, do të mund të dëshiroja që ky apo ai aspekt i fushatës ushtarake të NATO-s të kishte shkuar më mirë, por unë jam krenar dhe i nderuar që kam qenë i përfshirë në një nga operacionet më të suksesshme për të lejuar një popull të jetojë në liri dhe siguri, që e kemi parë dekadat e fundit.

KP: A mund të ndani me ne ndonjë moment të paharrueshëm që keni pasur në atë kohë?

Shea: Për mua, janë dy momente të paharrueshme. E para ishte në qershor të vitit 1999, shumë shpejt pas përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s, kur vizitova Prishtinën dhe u njoha me popullin e Kosovës dhe pata shansin të flas me ta. Ndjenja e tyre e lehtësimit që ata tani ishin të lirë, por edhe historitë e tyre të shumta të frikës dhe vështirësive për kohën kur ata u fshiheshin forcave serbe, e përforcuan bindjen time se NATO kishte bërë gjënë e duhur. Ishte një moment shumë i gëzueshëm. Momenti i dytë kryesor ishte në maj të vitit 1999, kur Tribunali Penal Ndërkombëtar në Hagë akuzoi Millosheviqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat e tij në Kosovë. Kjo demonstroi se nuk ishte vetëm NATO por edhe komuniteti ligjor global që njohu shtypjen e popullit te Kosovës dhe e kujt ishte përgjegjësia. Ky ishte një nxitës i rëndësishëm i moralit që na e forcoi vendosmërinë për të mos u dorëzuar para se të kishim detyruar forcat serbe të largoheshin nga Kosova.

KP: Populli i Kosovës ende ka në kujtesë thirrjet tuaja të guximshme, “Bëni durim edhe pak. Millosheviqi do të dorëzohet”, si e mbani mend momentin e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës ku në të vërtetë u dorëzua Millosheviqi?

Shea: Ishte një moment i mirë sepse kjo tregonte që fushata ajrore e kombinuar me një përpjekje të fortë diplomatike kishin arritur të nxisnin Millosheviqin të tërhiqte forcat e tij pa pasur nevojë për një operacion tokësor të NATO-s. Unë jam personalisht i bindur se NATO do të kishte filluar këtë operacion nëse do të duhej të ndalej shtypja, por qartë nuk ishte një opsion që aleatët preferonin dhe do të ishte i kushtueshëm dhe i vështirë. Millosheviqi u përpoq të shpëtonte fytyrën duke i quajtur forcat e KFOR-it e të NATO-s si forcat e “Kombeve të Bashkuara” dhe duke pretenduar se ai ishte dorëzuar në OKB. Por nuk mendoj se shumë njerëz u mashtruan nga kjo, duke përfshirë edhe në Serbi.

KP: Në atë kohë, a besonit se projekti perëndimor për çështjen e Kosovës do të kishte suksesin që ka sot?

Shea: Në atë kohë, përparësia ishte ndalimi i dhunës në Kosovë dhe krijimi i një ambienti sigurie që do të lejonte kosovarët e zhvendosur të ktheheshin të sigurt në shtëpitë e tyre. Kosova ishte vendosur nën juridiksionin e Kombeve të Bashkuara me misionin e UNMIK-ut. Kjo do të thoshte që bashkësia ndërkombëtare do të përcaktonte të ardhmen e saj dhe jo Beogradi, dhe për mendimin tim ky ishte tashmë një hap i konsiderueshëm përpara. Por ishte e qartë për mua shumë shpejt pas ngjarjeve mars-qershor 1999, se trashëgimia serbe e keqqeverisjes në Kosovë, do ta bënte të pamundur që vendi të kthehej nën administrimin e Beogradit dhe se herët a vonë pavarësia do të ndodhte. Debati u bë një nga kushtet për modalitetet dhe kohën e pavarësisë, por jo për vetë pavarësinë.

KP: Nëse kthehemi, shohim që për këto 22 vjet Kosova ka ndryshuar plotësisht. Nga rreziku i zhdukjes, Kosova tani është bërë një shtet i pavarur. Si do ta vlerësonit udhëtimin e Kosovës së bashku me perëndimin gjatë këtyre 22 viteve?

Shea: Ka qenë një partneritet i shkëlqyeshëm dhe jam dakord që sot Kosova e pavarur është transformuar përtej njohjes. I lumtë popullit të Kosovës për gjithë këtë punë të vështirë dhe këtë progres. Unë e di se ka ende shumë zhgënjime në lidhje me ekonominë, sundimin e ligjit dhe integrimin në komunitetin Euro-Atlantik, por unë besoj se partneriteti midis NATO-s, BE-së dhe Kosovës do të na çojë atje në fund të fundit. Gjëja kryesore është që ne të punojmë së bashku në mënyrë konstruktive. Së bashku ne gjithashtu duhet të luftojmë kundër narrativës së vendeve autoritare, kur ato përdorin lajme të rreme dhe dezinformata për të pretenduar se ndërhyrja e NATO-s ishte një veprim agresiv i krijuar për të ndëshkuar serbët dhe për të shkatërruar Serbinë; kur në të vërtetë ishte një mbrojtje parimore e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori