Kremlini ka depërtuar në nivelet më të larta të qeverive evropiane dhe “ndoshta” ata kanë burime shumë të afërta te kancelarja gjermane Angela Merkel.
Kështu shprehet ish-shefi i kompanisë ruse të naftës Yukos, Mikhail Khodorkovsky duke akuzuar disa politikanë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për lidhjet e tyre me Moskën.
Filantropisti rus që aktualisht jeton në Londër – i cili është themelues i Dossier Center, një organizatë që ndjek aktivitetin kriminal të njerëzve të lidhur me Kremlinin – deri sa po fliste në Komitetin e Parlamentit Evropian rreth ndërhyrjeve të Kremlinit në punët e BE-së, përmend shkallën e përpjekjes ruse për të ndikuar në vendet perëndimore.
“Ajo që po bën Kremlini është e njëjta që bëri në epokën e Luftës së Ftohtë dhe kjo është shqetësuese. Ka prova të qarta të sjelljes shumë jomiqësore nga Rusia, duke përfshirë shërbimet speciale ruse të përfshira në helmimin e udhëheqësve rusë të opozitës. Rusia gjithashtu ka nxitur konfliktin në Ukrainë dhe ka bërë përpjekje për të ndikuar në politikën e jashtme të vendeve perëndimore. Disa politikanë në Evropë paguhen nga Kremlini. Unë nuk them se të gjithë individët që udhëtojnë në Rusi me ftesë të Kremlinit janë të korruptuar. Gjermania është sulmuar shumë nga Moska dhe dhjetëra përfaqësues të Bundestagut kanë lidhje me Kremlinin. Ata janë shokë të Putinit. Ndoshta Kremlini ka gjithashtu një burim të afërt te Angela Merkel”, shprehet Khodorkovsky.
Ai shton se, “Rusia po përpiqet të promovojë vlera ultra-konservatore dhe madje edhe zyrtarët e hekurudhave ruse janë përdorur për të gjetur aleatë në Perëndim për të lobuar në emër të Rusisë. Franca po përdoret si bazë për projektet pro-Kremlin dhe për të ndikuar në opinionin vendas. Në Greqi, ka pasur plane për të nisur një parti politike pro-Kremlinit në Evropë dhe ka 30 komuna greke që janë pro-Kremlinit”.
Sipas Khodorkovskyt, Kremlini dëshiron ta minojë politikën e jashtme të BE-së.
“Kremlini ka kontakte të ngushta me politikanë në Evropë në nivele të ndryshme dhe kjo është bërë me qëllim që të minojë politikën e jashtme të BE-së, të provokojë konflikt dhe të bëjë ndarje fizike”, thotë ai.
Një kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin, Khodorkovsky u burgos në vitin 2003 me akuzat e mashtrimit dhe evazionit fiskal.
Ai u la i lirë në vitin 2013. Pak kohë më vonë, Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë vendosi që Qeveria ruse kishte shkelur ligjin ndërkombëtar duke marrë Yukosin nga aksionarët e saj për qëllime politike. /Telegrafi/