Ish-presidenti Hashim Thaçi që nga ora 12:30 është në Kosovë. Atij i është lejuar që të vij në Burojë, nën masa të ashpra të sigurisë, për ta vizituar nënën e tij, të cilës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Siç mëson Telegrafi forca të shumta të sigurisë janë parë në Burojë, ku Thaçit i është lejuar t’i takojë vetëm prindërit e tij dhe askënd tjetër prej anëtarëve të tjerë të familjes.
Nëna e ish-presidentit Thaçi është liruar ditë më parë nga QKUK-ja, ku ishte trajtuar 5 ditë radhazi. Ajo, siç mësohet, tani është duke u trajtuar nga mjekët në kushte shtëpiake.
Vizitën e Thaçit në Kosovë e kanë konfirmuara për Telegrafin edhe nga Gjykata Speciale.
“Për shkak të arsyeve humanitare, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për të takuar familjen. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre. /Telegrafi/