Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Irani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje të re bërthamore, për sa kohë që ajo bazohet në karakterin paqësor të programit bërthamor iranian dhe shoqërohet me heqjen e sanksioneve ndërkombëtare.

Sipas Araghchit, një marrëveshje e tillë do të hapte rrugën për bashkëpunim ekonomik në fusha si energjia dhe projekte të tjera me interes të ndërsjellë.


Ai theksoi se Irani nuk i ka përjashtuar kurrë Shtetet e Bashkuara nga projektet e tij ekonomike.

Duke iu referuar tensioneve rajonale dhe përvojave të mëparshme ushtarake, kryediplomati iranian deklaroi se vendi ka nxjerrë mësime të rëndësishme nga konfliktet e kaluara dhe ka forcuar aftësitë mbrojtëse.

“Raketat tona balistike janë në pozicion, forca jonë mbetet e paprekur dhe ne jemi më të përgatitur se kurrë”, tha Araghchi.

Ai dërgoi gjithashtu një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se çdo sulm ndaj Iranit do të përballej me një kundërsulm të shpejtë, tronditës dhe shumë të fuqishëm.

“Ne kemi aftësinë të mbrojmë veten dhe nuk kemi nevojë për askënd tjetër”, përfundoi ai.

Ndryshe, SHBA-ja ka dërguar disa aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme, pas ultimatumit të presidentit amerikan drejtuar Iranit. /Telegrafi/