Në një takim e gazetarë, nënkryetari i komunës, Rexhep Kadriu, ka thënë se derbi lokal është një vlerë dhe pasuri e një qyteti, por ky i Gjilani nuk është vetëm lokal, por është derbi më i madh që nuk e kanë qytetet e tjera.

“Nga këtu kërkojmë që të kemi një lojë, një spektakël, që do të na kënaq të gjithëve dhe të jemi krenarë për këtë vlerë, duke u lutur që të mos kemi asnjë ekses. Nga këtu në emër të institucioneve lokale, u bëjmë thirrje dy klubeve, që në fushë të sjellin një derbi të vërtetë sporti”, ka thënë Kadriu duke informuar se për gjithçka janë marrë vesh, duke precizuar vendin dhe kohën se nga ku do nisen secili nga grupet e tifozëve dhe përgjegjësinë e kanë marrë dy klubet për mbarëvajtjen e gjithë këtij organizimi në mbikëqyrje dhe përcjellje të Policisë së Kosovës.


“Lojërat sportive janë për të kënaqur tifozët dhe shikuesit në përgjithësi, andaj vëmendja e Gjilanit dhe e futbollit të Gjilanit le të shihet nga të tjerët si vlerë e vërtet sportive e jo si eksese, sepse vetëm me organizime të mirëfillta sportive tregojmë kulturë”, ka thënë zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Gjilan, Naser Rrahmani, që ka thënë se Policia e Kosovës, ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje sportive dhe në të njëjtën kohë ka lutur të gjithë tifozët që të sillen me përgjegjësi dhe maturi para, gjatë dhe pas përfundimit të kësaj loje sportive.

Dy klubet e futbollit “Drita” dhe “Gjilani”, kanë informuar lidhur me përgatitjet që kanë bërë në aspektin organizativ të këtij derbi, duke potencuar kohën e nisjes dhe vendin e nisjes së tifozëve në drejtim të Stadiumit, por po ashtu kanë dhënë informatën se kanë punuar gjatë, që kjo lojë të kaloj siç është më së miri dhe vetëm në kuadër të sportit për ta bërë më madhështore dhe më me vlerë këtë ndeshje sportive. /Zëri/ 

telegrafi sport app