Në njoftimin për media thuhet se kryeministri Berisha, i përgëzoi për punën që Kuvendi i Kosovës bën për konsolidimin e kuadrit ligjor, në mbështetje të reformave dhe përafrimit të legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst, Berisha vlerësoi maturinë që forcat politike në Kosovë kanë treguar e tregojnë, duke miratuar ligje dhe reforma të domosdoshme për përparimin e vendit dhe proceset integruese.


“Integrimi evropian nuk është një proces i lehtë, por një proces i domosdoshëm për të ardhmen e të dy vendeve”, tha kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar gjithashtu të rëndësishëm forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave mes parlamenteve të të dy vendeve, theksoi se duhet të punohet në drejtim të unifikimit të praktikave ligjore, ligjeve dhe akteve të tjera që lehtësojnë komunikimin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Gashi e njohu Berishën me punën e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë të veçantë të Komisionit të Ligjeve, për konsolidimin e legjislacionit në tërësi, reformës kushtetuese dhe asaj zgjedhore në veçanti.

“Qëllimi i kësaj vizite është zgjerimi i bashkëpunimit me Kuvendin e Shqipërisë dhe shkëmbimi i përvojës me homologët shqiptarë, përmes shtimit të kontakteve dhe takimeve të përbashkëta”, tha Gashi. /Telegrafi/