Inspektorati Farmaceutik konfiskon barna në veri me banderola të Serbisë

Inspektorati Farmaceutik i Kosovës ka zhvilluar një aksion inspektues në barnatoret private të Komunës së Mitrovicës Veriore, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve.
Gjatë këtij aksioni, janë zbuluar sasi të mëdha të produkteve medicinale të paautorizuara për tregun e Kosovës.
Shumica e këtyre barnave ishin të pajisura me banderola të shtetit të Serbisë, të Maqedonisë së Veriut apo edhe pa ndonjë banderolë fare.
Në njërën nga barnatoret, inspektorët hasën edhe produkte medicinale me banderolë të kuqe – të destinuara vetëm për sektorin publik të shëndetësisë dhe të cilat, sipas rregullave, janë falas për qytetarët ose janë siguruar si donacione për Spitalin e Mitrovicës Veriore.
Sipas Inspektoratit, këto barna janë keqpërdorur duke u shpërndarë në barnatore private për shitje.
Të gjitha barnat e paautorizuara janë konfiskuar menjëherë dhe ndaj përgjegjësve do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore në ditët në vijim.
Inspektorati Farmaceutik u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi në barnatore, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në sektorin farmaceutik./Telegrafi/


















































