Incidenti në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, flasin nga QKUK-ja

Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ndodhur sot një incident mes dy punonjësve shëndetësorë.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, e cila ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar organet e rendit dhe se policia ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Sipas informatave fillestare, në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve ka ndodhur një incident mes dy punonjësve shëndetësorë. Për rastin janë njoftuar organet e rendit, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Qyqalla.
Ajo ka shtuar se për momentin nuk ka detaje shtesë lidhur me shkaqet e incidentit, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga autoritetet kompetente.
Edhe nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar incidentin. Zëdhënësi i policisë për kryeqytetin, Enis Pllana i ka thënë Telegrafit se informatën e kanë pranuar sot rreth orës 08:00.
"Sot kemi pranuar informatën për një përleshje fizike, e cila ka ndodhë në QKUK në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë përfshirë dy persona. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit rasti është iniciuar "Sulm". Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit po merret për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit", ka thënë Pllana.
Ndryshe Gazeta Shneta ka raportiar se B.K. dhe Xh.A. janë përplasur fizikisht në hyrje të ashensorit në objektin e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve.
Gjithçka kishte nisur të premten me një përplasje verbale në mes dy kirurgëve, për të përfunduar me grushta ditën e sotme. /Telegrafi/






















































