Ilievski pret progres

Peja është fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2014/15, kurse Prishtina është kurorëzuar me titullin e kampionit në të njëjtin edicion dhe për këtë arsye këto dy ekipe do t’i matin forcat për Salamander Superkupën.
Trajneri i Prishtinës, Marjan Ilievski pret që ekipi i tij të ketë progres prej ndeshjes së Superkupës e tutje:
“Fillimi i përgatitjeve është pjesa më e vështirë për lojtarët, aq më shumë për lojtarët e rinj, pasi që duhet të ballafaqohemi me lëndimet nga mbingarkesa e madhe. Unë jam i kënaqur me pjesën më të madhe të përgatitjeve dhe angazhimin e basketbollistëve dhe pres që në periudhën që vjen të kemi një përmirësim progresiv".
"Pra kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore ku kemi pasur rastin të shohim se ku jemi momentalisht dhe të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe në ndeshjen e Superkupës së Kosovës, e cila po ashtu do të na shërbejë si një pasqyrë më e qartë për edicionin e ri. Unë jam i bindur se do të jetë një duel i fortë me një atmosferë të zjarrtë dhe ku do të kemi rastin që të gjithë të kënaqemi me basketboll cilësor”.
Peja dhe Sigal Prishtina do të takohen të shtunën me fillim nga ora 20:10 në palestrën “Karagaçi”, me ç’rast do të luftojnë për trofeun e Salamander Superkupës së Kosovës.



















































