LAJMI I FUNDIT:

Ibseni në sondën studiuese të Mulliqit

Ibseni në sondën studiuese të Mulliqit

Nga: Agron Gërguri

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i studiuesit, dramaturgut Prof. dr. Haqif Mulliqi Monografia “Henrik Ibseni fryma e parë e modernes” botuar nga N. Sh. Armagedoni

Një monografi ku kuptimësohet e zbërthehet shpjegueshëm vepra dramatike


Monografi e kompletuar përmes filtrave të dramatologjisë, antropologjisë dhe dramaturgjisë përmes një ballafaqim studiues dhe kreativ i Mulliqit i cili, edhe vet si dramaturg, veprën e H. Ibsenit e analizon dhe e studion, përveç tjerash, edhe në kontekstin kulturor të kohës kur Ibseni ka jetuar dhe ka krijuar veprat e tij. Tek biografia interesante e Henrik Ibsenit, profesor Mulliqi e gjen hambarin krijues prej ku ai e ushqen dramaturgjinë e tij, e cila e vë atë në krye të dramës moderne. Mulliqi si studiues dhe dramaturg, në nëntekst edhe dialogon me Ibsenin sidomos me veprat me temë patriotike të cilat edhe nuk flasin për Ibsenin e vërtetë atë që e njohim nga veprat “Shtëpi kukulle” me Norën si një nga personazhet emblematike të dramaturgjisë botërore, apo “Heda Gabler” dhe sidomos “Per Gynt” me të cilat ka provokuar edhe mendimin e J. Joyce,  B. Shaw si dhe të Sigmund Frojdit.

Si studiues Mulliqi zhbirilon në thellësi të cilat i penetron vepra e Ibsenit për t’na i nxjerr në sipërfaqe shqyrtuese natyra njerëzore që kërkojnë dhe luftojnë për emancipim njerëzor, siç me ngulm vepron Nora, Per Gynt, Heda Gabler apo Hedviga (te Rosa e egër), duke i emancipuar personazhet në personalitete. Mulliqi me një pedanteri dhe gjuhë të pasur nga terminologjia e dramës përvijon studiueshëm nëpër dramat e Ibsenit “Per Gynt”, “Rosa e egër”, “Shtëpi kukulle” dhe “Heda Gabler” dhe duke identifikuar shenjat kyçe të krijimtarisë së tij nxjerr esencën e dramaturgjisë së Ibsenit që është personazhi dhe biografia e tij. Këtë e bënë në mënyrë të gjithanshme, me një trajtim shumëdimensional duke i vënë në pah vlerat ibseniane të shkrimit të dramës si një depërtim në thellësitë dhe shpërfaqjen e natyrave njerëzore të cilat me këmbëngulësi arrijnë të dalin mbi rrethanat dhe formësohen natyrshëm si karaktere të pathyeshme.

Duke qenë vetë dramaturg, Mulliqi komunikon kreativisht me veprën dhe e ngre atë nga arti në mendim shkencor që nesër (pse jo edhe sot) do t’ ju shërbej studentëve, dramaturgëve e studiuesve të dramës për çuar tutje dijen për shumëkuptimësinë dhe hiperdramaticitetin ibsenian si model. Sonda prej dramaturgu e studiuesi e përshkon veprën dramatike të Ibsenit duke nxjerrë prej atje ekstrakte për mënyrën, motivet dhe tekniken e shkrimit të dramës sidomos me analizën shteruese të veprave kryesore të Ibsenit të cilat atë e bëjnë baba të dramës moderne që shtrihen me ndikim dhe pranim deri te James Joyce i cili në rinin e tij Ibsenin e kishte autor të preferuar pikërisht për trajtimin ndryshe të asaj që atëbotë identifikohej si rrymë moderne.

Përveç tjerash, në këtë monografi ku kuptimësohet e zbërthehet shpjegueshëm vepra dramatike, venerohen karakteristika të veçanta të Ibsenit që kanë të bëjnë me psikologjinë e personazhit dhe strukturën e dëshirave të tij çka Ibseni avancon në gjetjen e origjinës së veprimeve të personazhit që në instancë të fundit provokojnë kreativisht aktorët kur t’i interpretojnë.

Duke e zbërthyer veprën e Ibsenit preket konteksti historik i kohës kur letërsia dhe arti ishin më ndikues në jetën shoqërore si refleksion për të sotmen. Kur ky ndikim i dëshirueshëm minimizohet stimulohet vetmia si gjendje atëherë shprehja shurdhohet nga zhurma dhe drama kthehet në vetvete, aty ku pastaj “vepron” psikologjia në strukturimin e dëshirave të personazhit si një nga karakteristikat thelbësore të krijimtarisë së Ibsenit që ka të bëjë me procesin e krijimit të personazhit. Këtë hetim studioz Mulliqi e deshifron bukur përmes analizës brilante të personazheve duke na e ofruar Ibsenin e vërtetë si përmbajtje e jo si famë. Personazhi i Ibsenit krijohet dhe jeton me problemet e njëjta brenda unitetit aristotelian, aty ku ngjizet drama e vetmisë së personazhit po aty bëhet përpjekja për të dal nga vetmia. Nisur nga kjo Mulliqi e lartëson qasjen e Ibsenit për rolin e artit, përkatësisht dramës në zhvillimin e shoqërisë, edukimit emocional të saj dhe këtë e argumenton përmes diskursit negativ të personazhit siç është Per Gynt. Duke i lexuar dobësitë e Gyntit publiku, lexuesi do ta kuptoj raportin e njeriut me filozofinë që në instancë të fundit është një refleksion ndaj shoqërisë. Duke i zbërthyer përimtësisht karakteret e personazheve të dramave të Ibsenit dhe duke e pasqyruar origjinën e personazheve pastaj reflekton mbi marrëdhëniet shoqërore të sotme dhe fuqinë apo jo të individit si potencial mashtrues apo iluminues me ndikim.

Duke e njohur mirë veprën e Ibsenit, Mulliqi e vendos në perspektivë krahasuese dhe vlerore me Danten, Servantesin dhe Gëten.

Analiza shteruese dhe argumentet e cilësimit të Ibsenit si baba i modernizmit si shembull i ndërtimit të personazheve ndërtuar mbi antiteza

Dramat e Ibsenit përveç tjerash, sipas profesor Mulliqit, janë edhe një terapi poetike si për lexuesin ashtu dhe për interpretuesin skenik të veprave të tij. Henrik Ibseni përmes formave dramatike inovative përshkruan qenien njerëzore dhe ndërtimin e karaktereve duke ecur nëpër fate e fatkeqësi jetësore. Fate (a fatkeqësi) të cilat burojnë nga konflikte të thella të marrëdhënies që njeriu ka pikësëpari me vetveten pastaj edhe me shoqërinë e të cilat provokojnë meditim kreativ ngase parimet e Ibsenit shkojnë përtej rëndomësisë për të ecur kreativisht rrugës së artit si një mundësi e njeriut për ta gjetur veten dhe etikën e veprimit.

Ibseni është përhershëm kërkues dhe analitik në trajtimin e raporteve komplekse të individit me veten dhe tjerët përfshi këtu edhe psikologjinë qasjen thelluar të cilën e vlerëson Frojdi duke gjetur motive tek kompleksi i Edipit. Pastaj vendosja e raportit midis artit dhe jetës me individin i entuziazmon James Joyce dhe Thomas Mann, të cilët rekomandonin leximin e veprave të Ibsenit, rrjedhimisht kësaj edhe inskenimin e tyre.

Ibseni ka pasur një ndikim në dramën evropiane sidomos me inovacionet në trajtimin teatror të dramave të tij si vendosje skenike tejet realiste dhe natyraliste ku aktori është maksimalisht i përqendruar në detaje vepruese të personazhit duke përcjell gjendjet komplekse emocionale dhe nuancat e pasioneve si bazë apo qëllim i veprimit.

Pelegrinazhi i autorit nëpër veprat e Ibsenit: “Per Gynt”, Shtëpia Kukulle”, “Rosa e egër” dhe “Heda Gabler” regjistron karakteristika të veçantisë krijuese të Ibsenit përmes analizës shteruese për të nxjerr argumentet e cilësimit të Ibsenit si baba i modernizmit, përkatësisht krijimtarisë e tij si shembull i ndërtimit të personazheve ndërtuar mbi antiteza (romantik-antiromantik) dhe përmbajtësimin e natyrshëm të tyre. Ata shpesh nuk janë thjeshtë protagonist apo antagonist por kanë karakteristika unike të protagonizmit dhe antagonizmit brenda tyre pra kur ua lexon kutinë e zezë i gjen se janë edhe, edhe!

Në përgjithësi monografia është një model i shkrimit duke na e deshifruar sensin krijues të Ibsenit të ngërthyer në relacionin jetë-vepër dhe argumentuar konstantën e pjesëmarrjes së autorit në veprën e tij me të vërtetat e gënjeshtrat me imagjinatën e tij. Duke e vlerësuar këtë hetim të autorit si depërtim analitik në jetë-veprën e Ibsenit dhe këtë sikur e përcakton analiza e Per Gynt e cila mund të përgjithësohet apo njëjtësohet me vetë Ibsenin veprën e tij dramatike dhe prezencën e tij në të.

Krejt në fund autori duke e trajtuar Per Gyntin sikur flet për vetë Ibsenin dhe për më tej për aktin krijues dhe krijuesin veprues pra dramatik.

“Në botën e fantazisë, gjithçka lejohet, nuk ka asgjë të keqe dhe asgjë anormale. Mungesa e veprimeve konkrete është i vetmi gabim. Është e lehtë të ëndërrosh nga komoditeti i kolltukut tuaj. Sidoqoftë, edhe në imagjinatën e tij, Peri udhëton gjithë jetën e tij në një teh të mprehtë lumturie dhe pakënaqësie. Ai udhëton nëpër botë dhe përfundimisht kthehet në kasollen e tij, nga e cila mund të mos jetë larguar kurrë. Jeta e tij nuk është e kotë dhe nuk është, thjesht, ndonjë ëndërr me gëzof”.

Në fund, Per Gynti e kupton se udhëtimi i tij nëpër botën imagjinare, ndërsa flirtonte vazhdimisht me vdekjen, është, në fakt, një kërkim për vlerat e jetës. Metafora e jetës si qepë, e përbërë nga disa shtresa dhe asgjë në thelbin e saj, është një imazh i jetës së Për Gyntit, ndoshta edhe një imazh i jetës njerëzore në përgjithësi. ”

Me këtë monografi Mulliqi e ka pasuruar fondin e varfër të lekturës studiuese të dramaturgjisë moderne. Kjo vepër voluminoze do u kontribuoj shumë studiuesve dhe artistëve sa herë t’i qasen Ibsenit. /Telegrafi/