LAJMI I FUNDIT:

Ulësja në OKB dhe Asociacioni, në të njëjtën kohë

Ulësja në OKB dhe Asociacioni, në të njëjtën kohë

Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duhet të bëhet paralelisht me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, thotë zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të nxitohet ta formojë këtë mekanizëm dhe ai duhet të bëhet funksional vetëm atëherë kur vendi ta ketë marrë ulësen e tij si anëtar me ta drejta të plota në OKB.

“Meqë Asociacioni synon ta avancojë pozitën e serbëve në Kosovës, unë jam i mendimit se themelimi i tij, de fakto duhet të ndodhë paralelisht me anëtarësimin e Kosovës në OKB, kur Kosova ta marrë një status juridik dhe njohje ndërkombëtare të plotë”, tha Hoxhaj.


Hoxhaj thotë se nuk është me rendësi se çështja e Asociacionit a do të futet në një pako të një marrëveshje finale të dialogut me Serbinë, por ajo sipas tij, duhet të ecë si një proces paralel.

“E rëndësishme është që duhet të jetë pjesë e një procesi të njëjtë dhe mendoj se e përmbush edhe pritjen që kanë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovës, por e përmbush edhe pritjen që ka Kosova si tërësi dhe partnerët perëndimorë të Kosovës si mbështetës të saj”, tha Hoxhaj për Radion Evropa e Lirë.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri tha për ​Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës, duhet të kenë kujdes në procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nuk duhet të bëjë vonesa deri në arritjen e një marrëveshjeje finale në dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në fazën finale, ku pritet marrëveshje përfundimtare, nuk është mirë që Asociacioni të futet në atë pako sepse aty Serbia do të provojë në emër të marrëveshjes finale të kërkojë kompetenca ekzekutive që shkojnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Tahiri.

Tahiri tha se nëse do të ketë vonesa të mëdha në formimin e Asociacionit dhe në rast se kjo çështje hynë në pakon e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë, sipas saj, një gjë e tillë do të ishte gabim.

“Unë mendoj se nuk duhet të flitet shumë për çështje konkrete, por duhet të flitet për njohje reciproke mes dy shteteve, sepse vetëm njohja reciproke mes dy shteteve sjell paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe sjell automatikisht edhe karrigen në OKB për Kosovën. Kjo marrëveshje e njohjes reciproke hap rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe në anën tjetër, Kosovës i hiqen pengesat në rrugën e njohjes së plotë sepse ne kemi ende nevojë për njohje e plotë dhe automatikisht si rrjedhojë edhe karrige në OKB”, tha Tahiri.

Nga ana tjetër, analisti politik, Imer Mushkolaj thotë se institucionet e Kosovës, nuk duhet të vonojnë në formimin e Asociacionit dhe ky mekanizëm, siç thotë ai, duhet të formohet sa më parë dhe në bazë të aktvendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe marrëveshjes së arritur mes dy vendeve në Bruksel.

“Tingëllon e pabesueshme, por për formimin e Asociacionit në këtë fazë nuk është i interesuar as Beogradi. Kur e them ketë, kam parasysh atë që ata po synojnë më shumë, po synojnë ndarjen e Kosovës. Edhe diskutimi rreth kësaj mundësie të zgjidhjes, siç e quajnë ata, statusit të Kosovës, tashmë është në tavolinë dhe për këtë shkak ata po synojnë në një farë forme që të arrijnë më shumë karshi Asociacionit ose mundësisë së krijimit Asociacionit që do të merrnin më pak. Për këtë arsye, është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të shpejtojnë procesin e formimit të Asociacionit sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetues”, tha Mushkolaj.

Qeveria e Kosovës ka thënë se drafti final i statutit të Asociacionit, në fund të procesit bashkë me direktivën, do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për t’u siguruar se është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Marrëveshja për Asociacionin, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte arritur më 25 gusht 2015, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.