Hoxha: Gjykata Kushtetuese nuk mund ta konstituojë Kuvendin, por vetëm të japë alternativa

Juristi Valdet Hoxha, në një linjë direkte në Five, ka folur lidhur me pritjet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka thënë se, meqë afatet kohore janë strikte, Gjykata Kushtetuese sipas tij duhet të publikojë vendimin e saj për situatën në Kuvend.
“Nesër, shumë besoj se do ta kemi një publikim të vendimit, e pastaj se a do të kemi zgjidhje ajo është çështje tjetër”.
“Fakti i bllokimit të konstituimit të Kuvendit tash ka një adresë të zgjidhjes dhe duket të jetë Gjykata Kushtetuese, por të jemi të qartë se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta konstituojë Kuvendin. Ajo disa herë radhazi po jep zgjidhje, po jep alternativa, po hap rrugë, dhe tjetër është që akterët politikë, të shtyrë nga interesa të ngushta partiake, gjejnë interpretime të ngurta dhe të ngushta për të krijuar bllokada”.
”Dhe kjo gjithmonë është e mundur – në qoftë se dëshirohet bllokada, gjithmonë është e mundur…”, ka thënë ai, duke shtuar se vendimi i Kushtetueses nesër do të jetë në frymën e gjetjes së zgjidhjes.











































