Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), udhëhequr nga kryesuesi Ardian Hajdaraj të enjten ka mbajtur takimin e 265-të me radhë, me ç’rast edhe ka aprovuar vendimin për themelimin e Panelit hetimor ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Në njoftimin e KPK-së thuhet se në këtë takim është miratuar kërkesa e “Autoritetit Kompetent të Prokurorisë Themelore në Prizren për fillimin e hetimeve në rastin AD.nr.4/25 dhe themeloi Panelin hetimor për këtë rast disiplinor ndaj një prokurori”.


Kryesuesi Hajdaraj para anëtarëve të KPK-së ka sqaruar se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu në cilësinë e autoritetit kompetent me datë 18 mars 2025 ka paraqitur kërkesën për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prizren.

“Sipas përshkrimit të ngjarjes, në kërkesën e autoritetit kompetent, ka dyshime se prokurori në fjalë ka kryer shkelje disiplinore nga neni 6, paragrafi 2.1 i Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke dështuar të ushtroj funksionet prokuroriale brenda afateve kohore të parapara me ligj. Për më tepër e keni të përshkruar me detaje kërkesën e autoritetit kompetent”, ka thënë Hajdaraj, duke shtuar se në këtë rast është kërkuar hapja e procedurës disiplinore dhe shqiptimi i masës vërejtje publike me shkrim.

Me dhjetë vota për dhe një abstenim është miratuar kjo kërkesë dhe është krijuar edhe Paneli Hetimor, përbërja e të cilit është caktuar me short.

KPK-ja në këtë takim ka miratuar edhe disa vendime tjera.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu muaj më parë duke prezantuar objektivat e planit të punës për vitin 2025, pat theksuar se synon ngritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies si dhe rritjen e besimit të publikut në këtë organ të drejtësisë. /Telegrafi/