Heqja e masave nga BE-ja, ekspertët: Të jetë leksion i rëndësishëm për Kosovën

Menjëherë pas zhbllokimit të 34.6 milionë eurove të pezulluara, Bashkimi Evropian njoftoi se “në fillim të vitit të ardhshëm” do të lirojë edhe 205 milionë euro të tjera, në kuadër të procesit të heqjes të masave ndaj Kosovës.
Nga Samiti i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, të mërkurën mbrëma presidentja Vjosa Osmani njoftoi se blloku 27-anëtarësh do të heqë të gjitha masat ndaj Kosovës deri në fund të janarit.
Teksa njoftoi se “do të lëvizet përpara për heqjen e masave pas transferimit paqësor dhe të rregullt të pushtetit lokal në veri”, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Lyen shkroi synimi është që në fillim të vitit të lirohen 205 milionë euro për Kosovën.
Pasi këtë zhvillim e quajti lajm të mirë, opinionisti Ylli Hoxha theksoi se periudha prej dy vjetësh e gjysmë nën ndëshkim duhet të shërbejë si mësim historik për raportet me BE-në dhe mënyrën e vendimmarrjes së saj.
“Kemi pasur pasoja për mbi dy vjet ndoshta për një gjë që do të mund të adresohej brenda një bisedimi shumë të sinqertë dhe shumë më intensiv, mes nesh dhe BE-së. Pra është leksion që Kosova duhet ta marrë në raport me Bashkimin Evropian. Por edhe një kuptim i një sistemi delikat i cili përbëhet nga shumë zëra e shumë shtete, e jo të gjithë janë pro nesh në momente të caktuara, ashtu që duhet kujdes i shtuar në këto raporte”, ka thënë Hoxha.
Duke mirëpritur njoftimin nga Von der Leyen – pasi tha se eksitonte rreziku për të humbur mbi 200 milionë euro – Besar Gërgi nga Instituti për Studime Juridike dhe Politike theksoi se tani Kosova duhet të punojë për hapat e radhës.
“Me një zbatim të mirë, Kosova mund të përfitojë deri në 206 milionë euro nga fondet e IPA-së dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që Qeveria të punojë sa më shumë në këtë aspekt. Si dhe, është shumë e rëndësishme që tashmë nuk e kemi këtë pengesën e masave të Bashkimit Evropian, cilado qeveri e ardhshme që del nga zgjedhjet e 28 Dhjetorit duhet të shtyjë përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Gërgi.
Më 16 Dhjetor, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të BE-së, Gert Jan Koopman, i kumtoi Qeverisë në detyrë lajmin për “heqjen e mëtejme të disa prej masave”, përkatësisht zhbllokimin e katër projekteve në vlerë 34.6 milionë euro./Tv Dukagjini/
- YouTube youtu.be












































