Nga: Terry McDonell
Në foto, Ernest Hemingway hedh një kanaçe në ajër në një rrugë fshati të mbuluar me borë, me një lëvizje të këndshme që duket se i pëlqen. Fotoja është shkrepur nga John Bryson për Revistën “Life” më 1 shkurt 1959, përgjatë lumit Big Vud, pranë shtëpisë së shkrimtarit në Keçëm. Duket një gjest i improvizuar dhe imazhi ka një prekje intime, por në realitet ishte një pozë, rezultat i një ideje të Brysonit. Ernesti po aktronte, por ai pretendoi se veproi në mënyrë spontane dhe mori të gjitha meritat. Ky është problemi me shkrimtarin: ka shumë gjëra që dëshironi të mos i dini.
Rruga letrare
Në atë kohë, Ernesti ishte në dy seri katastrofike të goditjeve elektrike terapeutike dhe dy vjet më vonë do të bënte vetëvrasje. Ishte koha kur çdo njeri që dëshironte t’i afrohej shkrimit në Amerikë, duhej të merrej, në një mënyrë ose në një tjetër, me temën e burrërisë që karakterizonte veprën e Hemingwayt, me gjithë gabueshmërinë dhe ironinë e saj të natyrës seksuale. Brezat e shkrimtarëve aspirantë, jo vetëm i lexonin romanet e tij, por duhej t’i studionin tërësisht për të shkuar përtej kuptimit të thjeshtë të fjalëve. Ishte thjeshtësia e “The Tales of Nick Adams” për të na rrëmbyer dhe për të na bërë të besojmë se mund të bëhemi edhe shkrimtarë. Pikërisht prej andej filloi gjithçka, duke nxitur një përzierje ngurtësie dhe thjeshtësie, në dëshirën për të shkruar seriozisht dhe për të bërë art në mënyrë burrërore: një qëndrim që mbaroi rrënimin e maskulinitetit amerikan, tashmë i kthyer në një armë të mprehtë. Në më të fundit të “The Tales of Nick Adams”, “Fathers and Sons”, Nick gjurmon kujtimet që e tregojnë Ernestin si një njeri të dobët që e ka tradhtuar veten. Nick e donte atë gjithsesi dhe i kalon kujtimet e fëmijërisë derisa e kupton se mund të pajtohet me babanë e tij duke shkruar për të.
Një fis i çuditshëm
Patrick ishte i dyti nga tre fëmijët që Ernesti kishte nga dy gratë e tij. John Hadley Nicanor, i quajtur më vonë Jack, ishte i pari. Patrick Miller Hemingway dhe vëllai i tij më i vogël, Gregory “Gigi” Hancock, ishin fëmijët që Ernesti pati me gruan Pauline Pfeiffer. Kjo ishte gjithçka që dija për Ernestin si baba kur, në vitin 1995, u punësova për të shkruar një mini-serial bazuar në “Fiesta”, me regji dhe produksion nga mbesa e tij, Mariel Hemingway.
Babai i Marielit, Jack ishte i vetmi dëshmitar i gjallë i asaj periudhe në jetën e Ernestit. U takuam për darkë në shtëpinë e familjes në Keçëm, me gruan e tij të parë Puck (nëna e Marielit) dhe motrën e saj më të madhe, Muffet. Kur takova Jackin, ai ishte i sjellshëm dhe i dobishëm: më tregoi për muzikantin e preferuar të Ernestit (Fats Waller), zakonet e tij të leximit (katër ose pesë libra në të njëjtën kohë) dhe kështu me radhë.
Arkivi fotografik
Ai më tregoi shumë fotografi dhe vura re se privilegji që Ernesti e nënvlerësoi aq fort në autobiografinë e tij, u përgënjeshtrua nga numri i madh i njerëzve në rrethin e tij që kishin një aparat fotografik, ose që dukej se synonin gjithmonë të përjetësoheshin. Imazhet që përshkruajnë Jackin në moshën trevjeçare në Austri, në dëborën e Vorarlbergut me prindërit e tij, të rinj dhe të bukur, gjenden në fakt në biografitë e shumta të Hemingway.
Pashë gjithashtu disa fotografi të tre vëllezërve Hemingway, zakonisht duke buzëqeshur me babanë e tyre, shpesh me pushkë ose shufra peshkimi, teksa kapnin peshq të mëdhenj ose shfaqnin me krenari plaçkën e një udhëtimi gjuetie. Në disa foto Patrick dhe Gregory janë me kostume marinari.
Imazhet e tjera të marra nga reporteri i luftës, Robert Capa, tregojnë dy djemtë më të vegjël duke gjuajtur zogj me babanë e tyre pranë San Uelli në vitin 1940, kur Ernesti ishte i martuar me Martha Gellhornin, të paraqitura gjithashtu në pamjet ku të gjithë pinë birrë dhe djemtë janë nëntë dhe 12 vjeç. Akoma më zbuluese ishte një seri fotosh të bëra më herët, në Pilar, varkën 12 metra të Ernestit, kur Jack ishte 12 vjeç: Ernesti fle në sternë me një pije në dorë dhe duke mbajtur automatikun Thompson që përdorte për të gjuajtur peshkaqenë.
“Z. Miu”
Është e vështirë të imagjinohet një baba kaq i pakujdesshëm dhe në të njëjtën kohë i dashur ndaj djalit të tij, një temë që përsëritet në letra. Patriku quhet “Mouse”, “Z. Mickey Mouse”, “Miu më i dashur”, “Mickey Mouse”, “Mouse Mouse”. Ernesti është gjithmonë “baba”, në fillim shumë i dashur dhe i vëmendshëm. Në fillim të librit, Patrick i shkruan babait të tij nga Shkolla Kentbëri në Konektikat, duke e pyetur nëse mund ta vizitojë atë për Ditën e Falënderimeve. Ernesti i përgjigjet atij nga Kuba, duke i shkruar se është i zënë dhe duke u ankuar për motin: “Djali im, sot nuk është një ditë e ngrirë, do të kishim nevojë për më shumë uiski ‘Old Taylor’ të servirur të nxehtë”. Është sikur të ishin dy bashkëmoshatarë. Letrat janë në rend kronologjik dhe variojnë nga vitet kur Patricku ndoqi kolegjin (Harvard) deri në kohën kur u transferua në Tanganika (tani Tanzani), ku jetoi për 25 vjet duke punuar si fermer dhe rojtar i kafshëve. Si ai dhe babai i tij shkruajnë mrekullisht për peizazhet, zogjtë, gjuetinë dhe peshkimin, duke u emocionuar në shprehjen e mungesës së njëri-tjetrit. Me kalimin e viteve, babi jep këshilla dhe mendime për tema të ndryshme, si sporti, arsimi, gratë, ish-bashkëshortet, piktura, shmangia e shërbimit ushtarak, paratë dhe tregtia e tokës.
Vendi i fundit i pushimit
Në verën e vitit 1996 shkova në Keçëm me fëmijët e mi më të vegjël për të festuar 4 korrikun dhe për të përfunduar disa punë për mini-serialin. Në mëngjesin e ditës së parë, vizituam varrin e Ernestit në varrezat jashtë autostradës 75, jashtë qytetit. Guri i varrit ishte vendosur horizontalisht në barin e prerë, i rrethuar nga katër pisha të larta dhe i lyer me shishe boshe verë të lirë, të lëna nga dikush që kishte bërë festë në varreza.
Programi ynë përfshinte edhe një vizitë në shtëpinë e Ernestit. Nuk u kisha thënë fëmijëve të mi se ishte përvjetori i vetëvrasjes së tij. Shtëpia ndodhej në një kodër të pjerrët me pamje nga lumi Big Vud dhe ishte në tre kate, prej betoni të derdhur që të dukej si druri. Ballkoni i gjelbër i errët dhe përfundimi i gjelbër në dritaren e madhe i dhanë një ndjesi të paqartë moderniste.
Hyrja kryesore ishte përmes një atriumi të vogël me pllaka të konsumuara, ku Ernesti qëlloi veten në gojë dhe vdiq në rroba banjo. Në kuzhinë, etiketat e verës ishin ngjitur në derën e frigoriferit. Një poster i lirë i ndeshjes me dema zbukuronte murin e shkallëve që të çonin në dhomën kryesore të gjumit. Ernesti punonte në një dhomë gjumi, ulur në një tavolinë të vogël përballë dritares me pamje nga malet Saututh.
Edhe pse shtëpia nuk ishte më ashtu siç e kishte lënë shkrimtari, agjencia e mbrojtjes së mjedisit “Nature Conservancy” nuk e kishte vendosur ende kompletin, të kompletuar me një makinë shkrimi mbretërore në tavolinë. Dukej si një vend i këndshëm për të punuar, nëse nuk mund të mendohej zhurma shurdhuese e të shtënave në sallë.
Takuam Patrickun dhe Gregoryn. Patricku, me një ajër të dukshëm reflektues, erdhi nga Montana, ku po kalonte vitet e tij të pensionit. Gregu u prezantua: ishte i vogël dhe fliste me zë të ulët. Ai na falënderoi për vizitën, duke iu përkulur fëmijëve të mi, duke u përsëritur emrat e tyre dhe duke u shtrënguar dorën, me një qëndrim mikpritës dhe të përulur në të njëjtën kohë.
Djali i ndërgjegjshëm
Nuk ka asnjë referencë për vetëvrasjen, përveç në shënimin e shkruar nga Patriku në epilog dhe në përshkrimin e funeralit të Ernestit në një arkivol të mbyllur: “Në arkivol kishte gjithçka përveç hirit të një vdekjeje paqësore”. Në të gjitha letrat, Patricku është një djalë i mesëm i ndërgjegjshëm, i cili përpiqet të zgjidhë problemet midis vëllezërve dhe babait të tij. Ernesti është gjithmonë inkurajues, por ai bëhet gjithnjë e më kërkues dhe kritik, duke u mburrur se u dërgon para dhe më pas ankohet për to, kritikon të dashurat dhe gratë e tyre. Në vitin 1954, Ernesti i shkroi Patrickut nga Londra: “Midis fëmijëve të mi ti ishe i vetmi vëlla për mua”.
Fundi i Gregut dhe Gloria
Kur vdiq në vitin 2000, Gregory e quajti veten Gloria; quajti veten transvestit dhe u përpoq të detoksifikohej nga alkooli; vuante nga çrregullimi maniak depresiv dhe ishte në një qeli në seksionin e grave të një burgu në Miami, pasi u arrestua pesë ditë më parë në bulevardin Ki Biskejn, dukshëm i dehur, i zhveshur, duke mbajtur një fustan veror rozë dhe këpucë me takë të lartë.
Nuk e kishte parë dhe nuk kishte folur me të atin që nga viti 1952. Tha për “Washington Post”: “U ndjeva jashtëzakonisht i lehtësuar kur varrosën babanë tim dhe kuptova se ai ishte vërtet i vdekur, se unë nuk do të mund ta kisha zhgënjyer, as ta lëndoja”. Sikur kjo të mos ishte mjaft e trishtueshme, Gregory deklaroi më tej se Patricku “u shkatërrua plotësisht nga babai im, deri në atë pikë sa nuk mund të bënte asgjë në jetë”. “Papa: A Personal Memoir”, i shkruar nga Gregory në 1976, ishte një përpjekje elegante dhe e dhimbshme për të shpjeguar marrëdhënien me të atin.
Alkooli
Mini-seriali nuk e pa kurrë dritën, sigurisht edhe për shkak të disa aspekteve ekscentrike të skenarit tim. Një shkrimtar tjetër u përpoq ta merrte sërish. Nuk u zhgënjeva, nëse jo për aspektin ekonomik. Kur u punësova, nuk e dija që Ernesti i kishte rritur të tre fëmijët e tij nën efektin e alkoolit.
Unë nuk isha në dijeni për shumë gjëra. Mania e Ernestit e pushtoi aq sa të rrihte gjoksin, me një sjellje të vrazhdë që pasqyronte gjithë dhunën e maskulinitetit që kishte krijuar jo vetëm për veten, por edhe për fëmijët e tij. Patriku e donte gjithsesi dhe në epilog shkruan se Ernesti u përpoq në çdo mënyrë të ishte një baba i mirë. Në letrat e të atit, tonet bëhen gjithnjë e më të neveritshme. Ato të Patrikut janë shumë të ndryshme dhe zbulojnë vullnetin për të qenë një djalë sa më i mirë, një njeri më i mirë se sa ishte Ernesti në ditën e tij më të mirë. /Burimi: Il Corriere della Sera /Në shqip nga: Gazeta “Dita”/