Hegseth ndryshon rregullin ushtarak të vendosur nga George H. W. Bush

Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, deklaroi se do t’u lejojë pjesëtarëve të shërbimit të mbajnë armë personale në bazat ushtarake, duke iu referuar Amendamentit të Dytë dhe të shtënave të fundit në baza në mbarë vendin.
Në një video të publikuar në platformën X, Hegseth tha se po nënshkruan një memorandum që do t’i urdhërojë komandantët e bazave të miratojnë kërkesat e ushtarëve për mbajtjen e armëve private “duke supozuar se ato janë të nevojshme për vetëmbrojtje”.
Ai theksoi se çdo refuzim i kërkesave të pjesëtarëve të shërbimit duhet të arsyetohet në mënyrë të detajuar dhe me shkrim.
“Në praktikë, bazat tona në të gjithë vendin kanë qenë zona pa armë. Përveç nëse ishit në trajnim ose pjesë e policisë ushtarake, nuk mund të mbanit apo të sillnit armën tuaj personale për vetëmbrojtje në bazë”, tha ministri.
Pyetjet pse pjesëtarët e forcave të armatosura nuk kanë qasje në armë shpesh janë ngritur pas të shtënave në bazat ushtarake në të gjithë SHBA-në. Këto incidente kanë ndryshuar nga përplasje të izoluara mes ushtarëve deri te sulme masive, si ai i vitit 2009 në Fort Hood në Teksas, ku një psikiatër i ushtrisë vrau 13 persona.
Hegseth përmendi në video disa nga këto ngjarje, përfshirë të shtënat e vitit të kaluar në Fort Stewart në shtetin e Georgias, ku u plagosën pesë ushtarë. Zyrtarët thanë se sulmuesi, një rreshter i ushtrisë amerikane i punësuar në bazë, përdori pistoletën e tij personale para se të neutralizohej nga kolegët dhe të arrestohej.
“Në situata të tilla, minutat janë një përjetësi. Ndërsa pjesëtarët tanë të forcave të armatosura kanë guximin dhe trajnimin për t’i shfrytëzuar këto minuta të çmuara”, tha ai.
Politika e Departamentit të Mbrojtjes deri më tani ua ndalonte ushtarëve të mbanin armë personale në bazë pa miratimin e një komandanti të lartë, duke përfshirë protokolle të rrepta për mënyrën e ruajtjes së tyre.
Zakonisht, ushtarët duhet të tërheqin armët e tyre nga depo të sigurta për të shkuar në zona gjuetie brenda bazës ose në poligone qitjeje dhe më pas t’i kthejnë menjëherë pas përfundimit të aktivitetit të miratuar. Policia ushtarake është shpesh e vetmja që mban armë në mënyrë të vazhdueshme në bazë, përveç rasteve në poligone, zona gjuetie apo gjatë trajnimeve, kur përdoren armët zyrtare.
Tanya Schardt, këshilltare e lartë në organizatën Brady, deklaroi se drejtuesit e Departamentit të Mbrojtjes dhe udhëheqja ushtarake kanë qenë kundër lehtësimit të kësaj politike, e cila ishte vendosur fillimisht gjatë presidencës së George H. W. Bush.
Schardt theksoi se shumica e pjesëtarëve aktivë që kryejnë vetëvrasje përdorin armë personale dhe paralajmëroi se “pa dyshim do të ketë rritje të vetëvrasjeve me armë dhe të dhunës së armatosur”.
Megjithëse në vitin 2024 më pak ushtarë amerikanë humbën jetën nga vetëvrasja, normat totale të vetëvrasjeve mes pjesëtarëve aktivë janë rritur gradualisht nga viti 2011 deri në vitin 2024, sipas një raporti të Pentagonit të publikuar të martën. /Telegrafi/


















































