Nga: Santiago Andres
Përktheu: Bajram Karabolli

Pyeta orakullin e kohës dhe më foli për demonët historikë, për punën e paguar keq dhe për djersën e derdhur kot. Pyeta magjistarin e deteve dhe ai më foli për baticat e përsëritura, për muzgje të kredhura në mjegullën e rrëmujës. Më foli gjithashtu për ujët dhe kripën që do të lanin kujtesën. Pyeta perënditë e krijimit, të cilat, të rehatuara në cakun e tyre, qenë kredhur në gjumin e harmonisë. Ato më folën për diej që shkëlqejnë në vetmi, për yje që nuk shndrisin më, për cirqe endacakë, për rrugë ... Më folën për rrugë, por përgjigje nuk më dhanë.


Së fundi, pyeta shpendin e dijetarëve dhe ai ... ai vetëm fshiu lotët e veta me një shami pyetjesh, pastaj e shtrydhi. Nuk qenë pika uji ato që binin nga shamia e qëndisur ... Ato qenë pika shprese.

Unë, i pakënaqur me përgjigjen, u zhyta të notoj në atë shami dhe u mbyta.

Askush nuk më dëgjoi, kur kërkoja ndihmë.