Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar Daniel J. Lawton, zëvendës ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike.

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se gjatë këtij takimi ka theksuar se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike.


“Pata nderin në Departamentin Amerikan të Shtetit, të takoj Daniel J. Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit, pranë Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. E falënderova Lawton për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës, nga liria jonë deri te ndërtimi i demokracisë dhe institucioneve shtetërore. Theksova se partneriteti dhe miqësia ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të qëndrueshme dhe strategjike”, ka shkruar ai.

Tutje Haradinaj ka shkruar se “Anëtarësimi i Kosovës në NATO jo vetëm që do të forcojë sigurinë tonë, por do të kontribuojë gjithashtu në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin euro-atlantik”. /Telegrafi/