LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Qeveria t’u qëndrojë afër fermerëve të prekur nga vërshimet në Rahovec e Suharekë

Haradinaj: Qeveria t’u qëndrojë afër fermerëve të prekur nga vërshimet në Rahovec e Suharekë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtojë vëmendjen nga Komuna e Rahovecit dhe ajo e Suharekë, të cilat janë goditur nga stuhi me breshër e shi.

Sipas tij, janë dëmtuar në masë të madhe kulturat bujqësore.

“Rahoveci dhe Theranda, përpos përballjes me pandeminë, gjatë dy ditëve të fundit janë goditur nga reshjet e mëdha të shiut, me ç’rast nga vërshimet ka pasur dëme të konsiderueshme në bujqësi. Ndajë shqetësimin me fermerët e këtyre dy komunave, të cilëve u janë dëmtuar në masë të madhe kulturat bujqësore”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.


Haradinaj ka përmendur edhe veprimet e tij si ish-kryeministër kur ishte gjendur në situata të ngjashme.

“Gjatë qeverisjes sime, kam ndarë fonde emergjente për t’iu dalë në ndihmë fermerëve dhe për rimëkëmbjen e ekonomive familjare, të cilat kanë pësuar nga reshjet dhe vërshimet në të gjitha komunat e Kosovës”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook.

Ai ka kërkuar nga institucionet qendrore që t’iu qëndrojnë afër fermerëve të dëmtuar.

“Iu bëj thirrje institucioneve qendrore, që të qëndrojnë afër komunave dhe fermerëve në përballimin e kësaj situate”, thuhet në fund. /Telegrafi/