Telegrafi

Hapet konkursi për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të në Mitrovicë

Fotografi ilustruese

Drejtoria e Arsimit në Mitrovicë ka hapur konkurs për regjistrimin e nxënësve në klasën e dhjetë në gjimnaz dhe IAAP për vitin shkollor 2024/25.

Për regjistrimin e nxënësve mund të konkurrojnë nxënësit që e kanë mbaruar arsimin e obligueshëm.

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se nxënësit që e kanë përfunduar klasën e 9-të jashtë Kosovës, duhet ta bëjnë njohjen e dëftesave nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), shkruan Telegrafi.

“Nxënësit, të cilët e kanë përfunduar klasën e 9-të jashtë Kosovës, obligohen ta bëjnë njohjen e dëftesave në MAShTI dhe më pastaj të konkurrojnë për regjistrim”, thuhet në njoftim.

Nxënësit për të konkurruar për regjistrim në klasën e 10-të duhet t’i paraqesin dëftesën origjinale për kryerjen e shkollës së mesme të ulët dhe certifikatën e lindjes.

Në njoftimin e Komunës bëhet e ditur se të gjithë nxënësit duhet të aplikojnë përmes platformës elektronike “eShkollori”. /Telegrafi/