LAJMI I FUNDIT:

Halimi e LDK-së kritikon Qeverinë Kurti për jotransparencë në dialog

Halimi e LDK-së kritikon Qeverinë Kurti për jotransparencë në dialog

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë transparence.

Për Portalin Dukagjini, ajo ka thënë se kjo mostransparencë po shfaqet edhe në dialogun Kosovë Serbi. Sipas saj, kjo lloj qasje po e bllokon përçimin e së vërtetës tek qytetarët.

“Derisa, tanimë si për të gjitha proceset në të cilat po kalon vendi ynë, partia në pushtet mbetet në nivelin më të lartë të mostransparencës. Kjo qasje, përpos që po e bllokon përçimin e së vërtetës tek qytetarët lidhur me përmbajtjen e agjendën e dialogut, partisë në pushtet po i krijohet mundësia të shtrijë gjuhën propaganduese të militantëve për tifozllëk që të mbulojë paaftësinë qeverisëse”, ka deklaruar Halimi.


Halimi e ka ripërsëritur qëndrimin e LDK-së, se është kundër shkëmbimit territorial si dhe njohja nga Serbia të jetë në qendër të bisedimeve.

“Imazhet e komentimet për lëvizjet e kryeministrit nuk janë aq të mjaftueshme për të konkluduar çfarë në të vërtetë u bisedua në takimin e Brukselit. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet në të njëjtat qëndrime për sa i përket dialogut; ruajtja e integritetit territorial, si dhe njohja nga Serbia mbeten parime qenësore”, ka deklaruar ajo.

Në takimin e fundit në kuadër të dialogut Kosovë Serbi, i cili zgjati mbi pesë orë, nuk pati ndonjë marrëveshje. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ende nuk e ka dhënë ndonjë deklaratë për media, në lidhje me këtë çështje. /RTVDukagjini/