LAJMI I FUNDIT:

Hajvalia synon të kthehet e pamposhtur nga Gjilani

Hajvalia synon të kthehet e pamposhtur nga Gjilani

Hajvalia po kalon momente magjike. Skuadra prishtinase ka regjistruar tri fitore radhazi dhe do të shkojë në Gjilan për të nxjerrë pikë ndaj Dritës, në ndeshjen e parë të xhiros së nëntë të Superligës.

Trajneri Ismet Munishi tregon se ka mungesa, por ai do të mundohet ta komponojë një ekip që mund t’i bëjë ballë kundërshtarit.

“Është një ndeshje shumë e vështirë për ne. Nuk jemi të kompletuar, por do të mundohemi ta bëjmë të pamundurën ndaj Dritës”, u shpreh Munishi për “Zërin”.

Në anën tjetër, gjilanasit po ashtu i hyjnë kësaj loje me vetëbesim, pas rezultateve të mira në ndeshjet e fundit.


Trajneri Bekim Isufi shprehet se gjilanasit do të llogarisin në përkrahjen e tifozëve, për të dalë mirë nga kjo ndeshje.

“Hajvalia është një ekip që ka kontinuitet në ndeshjet e fundit, por njësoj kemi edhe ne. Është një ndeshje e vështirë për të dyja palët. Përparësia e jonë ndoshta është se do të luajmë përpara shikuesve tanë dhe do të bëjmë gjithçka që pikët të mbeten në Gjilan”, deklaroi Isufi për gazetën.

Ndeshja tjetër që do të zhvillohet sot është ajo në mes të Istogut dhe Llapit. “Troftat”, të cilët e mbyllin tabelën, do ta kërkojnë fitoren e dytë sezonale ndaj Llapit, i cili është në mesin e tabelës.