Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës në tregun vendor, duke vendosur masa mbrojtëse për konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme.

Vendimi përcakton se marzha maksimale e fitimit për shitjen me shumicë të naftës do të jetë 2 eurocentë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë, marzha maksimale do të jetë 12 eurocentë për litër.


Përmes një postimi në Facebook, ministrja Hajdari theksoi se ky vendim është rezultat i monitorimit të vazhdueshëm të tregut të produkteve të naftës.

Sipas saj, është vërejtur se ndryshimet e çmimeve të importit reflektohen shpejt në ngritje të çmimeve në tregun e brendshëm, por jo edhe në rastet kur çmimet e importit bien.

“Ky vendim ka për qëllim të parandalojë praktikat e padrejta dhe të ruajë transparencën dhe balancën në treg”, u shpreh Hajdari.

Ministrja bëri të ditur se për zbatimin e vendimit do të ketë mbikëqyrje të shtuar inspektuese, paraqitje të rasteve të dyshimta tek Autoriteti i Konkurrencës, si dhe bashkëpunim të ngushtë me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës.

Sipas Hajdarit, ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të konkurrencës së ndershme, mbrojtjes së konsumatorëve, dhe krijimit të kushteve të barabarta për të gjithë operatorët në tregun e produkteve të naftës në Kosovë.