Manchester City mund të garojë me një prej rivalëve të tyre kryesor në afatin kalimtar veror për transferimin e Viktor Gyokeres.
Tottenhami e befasoi Cityn duke e mposhtur atë mbrëmë me rezultat 4-0 në ‘Etihad’, që do të thotë se ‘Qytetarët’ tashmë kanë humbur pesë ndeshje radhazi në të gjitha garat për herë të parë që nga 2006.
Në të vërtetë ishte gjithashtu hera e parë që Guardiola ka shijuar humbjen në pesë ndeshje radhazi gjatë karrierës së tij të bujshme tek Barcelona, Bayern Munich dhe tani Man City.
Kjo humbje ka ngritur pikëpyetje se çfarë përforcimesh duhet të bëjë City dhe tashmë një emër i ri është zbuluar.
Bëhet fjalë për sulmuesin Viktor Gyokeres i cili falë paraqitjeve të tij të jashtëzakonshme me Sporting Lisbonën ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha evropiane.
Në garë për shërbimet e Gyokeres është gjithashtu edhe Unitedi që po ka vështirësi në shënimin e golave këtë sezon dhe kanë nevojë për një sulmues të tillë.
Sipas këtij raportimi tashmë pritet të kemi një garë të ashpër mes dy klubeve nga Mançesteri për të siguruar shërbimet e tij.
Që të dy klubet kanë përparësitë e tyre, teksa ‘Djajtë e Kuq’ mund ta shfrytëzojnë trajnerin Ruben Amorim i cili deri së fundmi punoi me të tek Sporting Lisbona.
Në anën tjetër Man City tashmë me emërimin e ish-drejtorit sportiv të klubit portugez, Hugo Viana, mund të kenë përparësi gjatë negociatave për transferimin e tij./Telegrafi/