LAJMI I FUNDIT:

Gripi sezonal në Kosovë, flet Instituti kombëtar i shëndetësisë publike

Gripi sezonal në Kosovë, flet Instituti kombëtar i shëndetësisë publike
Foto: Arkiv

Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë mundësia e rritjes së rasteve ekziston.

Kështu njoftoi Instituti kombëtar i shëndetësisë publike.

Sipas IKSHP-së, vala e gripit në territorin e Kosovës nuk ka pasur intensitet të lartë epidemik, ku njëri nga ndikuesit kryesor pos masave parandaluese ka qenë vaksinimi me kohë gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor i të gjitha grupeve të rrezikut.


“Nga 01 tetori ( java  e 40–të)  deri më 07 janar, 2018 ( java e1-rë), në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 15.737 raste të dyshimta në grip (ILI), 2329 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 36 raste SARI (Sëmundje e Rëndë Respiratore  Akute)”, thuhet në njoftim.

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës, me përjashtim të komunave me  popullatë serbe.

Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna  e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës, por sipas IKSHP-së, asnjëra nuk e kalon pragun epidemik, raporton Telegrafi.

Gjatë javës së parë të janarit janë raportuar 1609 raste ILI, 193 raste ARI dhe 5 raste SARI.

Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale gjatë javë së parë të 2018-së janë hospitalizuar 3 raste me status gripal dhe 3 raste me ‘Bronchopneumonia dhe Pneumonia (ARI)’.

Në njoftim thuhet se zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës  po përcjellin me vëmendje shfaqjen e virusit A (H3N2) në hemisferën jugore (Australi) dhe po përhapet edhe në Evropë, e që bënë pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm, por që mund të shkaktojë komplikime të rënda të sistemit respirator, sidomos te personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar nga sëmundjet kronike.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit A(H3N2) dhe është në gjendje gatishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjike do të informoheni me kohë, transmeton Telegrafi.

Si të mbrohemi nga Gripi sezonal

Gripi sezonal është një infeksion akut viral. Transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpikave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe ne mënyrë indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.

Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët?

Personi i infektuar me virusin e gripit mund të jetë infektues për të tjerët, 1 ditë para se të sëmuret dhe 5 ditë pas shenjave të gripit. Tek fëmijët, apo personat me imunitet të ulur, periudha e infektimit mund të jetë pak më e gjatë.

Kush rrezikohet nga gripi sezonal?

Çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit sezonal dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit sezonal si:

Fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç; Njerëzit 65 vjeç e sipër; Gratë shtatzëna; Njerëzit me sëmundje kronike.

Shenjat e zakonshme të gripit sezonal janë: Temperaturë e lartë, kollë, dhimbje fyti, lodhje, dhimbje koke, diarre dhe vjellje, dhimbje barku, rrjedhje të hundëve, dhimbje muskujsh

Shenjat paralajmëruese për emergjencë: Duhet të dini se sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë POR drejtohuni menjëherë tek mjeku nëse: fëmijët shfaqin frymëmarrje të shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen; ndryshim të ngjyrës së lëkurës; nuk konsumojnë mjaftueshëm lëngje; kanë ethe me një skuqje të lëkurës, fortësim te qafës

Të rriturit shfaqin: Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim; dhimbje apo presion në gjoks apo bark; marramendje të papritur; konfuzion mendor: të vjella të vazhdueshme.

Si të mbrohemi nga virusi i gripit sezonal?

Ju rekomandohet tre hapa për të luftuar gripin: vaksinimin, masat e përditshme parandaluese, dhe trajtimi me barna antivirale nëse mjeku i rekomandon.

Nëse jeni të sëmurë me grip : Qëndroni në shtëpi; qëndroni veç nga të tjerët; pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë; mbuloni gojën dhe hundën me faculetë kur kolliteni apo teshtini; lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtimi; evitoni kontaktet me njerëzit. /Telegrafi/