Grenlanda jo më pjesë e Danimarkës? Zbulohet plani i ri i Pentagonit

Zyrtarët në administratën e Donald Trumpit po shqyrtojnë një ndryshim që do të transferonte përgjegjësinë për interesat e sigurisë së SHBA-së në Grenlandë tek komanda ushtarake e ngarkuar me mbrojtjen e territorit amerikan.
Kjo do të konfirmonte më tej interesin e presidentit për atë territor të rëndësishëm strategjik, të cilin ai e ka shprehur vazhdimisht publikisht dëshirën për ta blerë, ka mësuar CNN nga tre burime të njohura me diskutimet.
Sipas propozimit, Grenlanda do të hiqet nga juridiksioni i Komandës Evropiane të ushtrisë amerikane dhe do të vendoset nën komandën e Komandës Veriore të SHBA-së (NORTHCOM).
Bëhet e ditur se Grenlanda është politikisht dhe kulturalisht pjesë e Evropës dhe ka statusin e një territori autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës.
Megjithatë, disa zyrtarë amerikanë kanë shprehur skepticizëm në lidhje me këtë masë, duke pasur parasysh këmbënguljen e Trumpit se SHBA "ka nevojë" për Grenlandën dhe refuzimin e tij për të përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për ta marrë atë.
Në një intervistë për NBC, të transmetuar fundjavën e kaluar, Trump la të kuptohet përsëri për një kërcënim të tillë.
“Nuk po përjashtoj asgjë. Nuk po them se do ta bëj, por nuk po përjashtoj asgjë.”
“Ne kemi vërtet nevojë për Grenlandën", shtoi ai.
"Ka shumë pak njerëz që jetojnë atje, për të cilët do të kujdesemi, do t'i duam dhe të gjitha këto. Por kjo është e rëndësishme për ne për shkak të sigurisë ndërkombëtare."
Komanda Veriore e SHBA-së është kryesisht përgjegjëse për mbrojtjen e territorit të Shteteve të Bashkuara dhe aktualisht mbikëqyr, ndër të tjera, operacionet në kufirin jugor të vendit, përcjell Telegrafi.
Raportohet se deklaratat e Trumpit kanë shkaktuar tensione si me Danimarkën ashtu edhe me autoritetet në vetë Grenlandën.
Ndryshe, vendosja e Grenlandës nën NORTHCOM do ta ndante të paktën simbolikisht nga Danimarka, e cila do të mbetej nën juridiksionin e Komandës Evropiane të SHBA-së.
Zyrtarët danezë janë të shqetësuar për mesazhin që mund të dërgojë masa - se Grenlanda nuk është më pjesë e Danimarkës.
Përkrahësit e masës vënë në dukje se ndërsa SHBA ka një bazë ushtarake në Grenlandë dhe e sheh atë si një bastion kyç në konkurrencën me Rusinë dhe Kinën për kontrollin e Arktikut – një prioritet i sigurisë kombëtare të SHBA-së i mbështetur nga të dyja palët – ajo ndonjëherë anashkalohet nga Komanda Evropiane për shkak të distancës së saj nga qendra komanduese në Evropën Qendrore.
Për NORTHCOM, megjithatë, Grenlanda përfaqëson një pikë të rëndësishme vëzhgimi për aeroplanët e mundshëm të armikut që mund të shkojnë drejt tokës amerikane nga ai drejtim.
Versioni i paklasifikuar i vlerësimit vjetor të inteligjencës së komunitetit të inteligjencës amerikane përmend katër herë Grenlandën - në kontekstin e interesit të Kinës dhe Rusisë për të zgjeruar ndikimin e tyre në atë zonë.
Diskutimet rreth transferimit të Grenlandës nën autoritetin e NORTHCOM vijnë në mes të një mosmarrëveshjeje tjetër midis zyrtarëve amerikanë dhe danezë mbi territorin.
Ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen njoftoi këtë javë se ai planifikon të ftojë të ngarkuarin me punë të SHBA-së në Danimarkë për bisedime, pasi Wall Street Journal raportoi se Uashingtoni kishte urdhëruar agjencitë e inteligjencës amerikane të rrisin mbikëqyrjen e Grenlandës.
Sipas gazetës, shërbimet amerikane duhet të mbledhin informacion shtesë për dëshirën e Grenlandës për pavarësi dhe qëndrimet e popullsisë vendase ndaj shfrytëzimit të burimeve natyrore nga kompanitë amerikane. /Telegrafi/


































