Grealish jashtë fushës për një sezon, Botërori 2026 në pikëpyetje

Jack Grealish mund të mos luajë më këtë sezon për Evertonin, në një zhvillim që përbën një goditje të rëndë për ambiciet e tij për t’u rikthyer në Kombëtaren e Anglisë dhe për të qenë pjesë e Kupës së Botës 2026.
Anësori anglez ka impresionuar gjatë huazimit nga Manchester City, duke shënuar dy gola dhe dhënë gjashtë asistime, ndërsa ka nisur 18 ndeshje si titullar në Ligën Premier.
Nën drejtimin e David Moyes, Grealish kishte gjetur një formë të re dhe një rol kyç në skuadrën e Evertonit.

Megjithatë, trajneri Moyes ka dhënë lajme shqetësuese në konferencë për shtyp, duke pranuar se lojtari mund të mos luajë më këtë sezon për shkak të një dëmtimi serioz në këmbë, i cili mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale.
“Ne besojmë se ai ndoshta ka nevojë për operacion. Kjo ende nuk është konfirmuar plotësisht, por ka shumë gjasa që sezoni i tij të ketë përfunduar”, u shpreh Moyes.
“Është zhgënjyese për lojtarin, për klubin dhe për të gjithë ne, sepse ai është një pjesë shumë e rëndësishme e ekipit. Ka personalitet të madh dhe eksperiencë, dhe do të na mungojë”.
I pyetur për të ardhmen e Grealish gjatë verës, Moyes u shpreh shkurt:
“Është shumë herët për të folur për këtë”.
Grealish ka zhvilluar gjithsej 19 ndeshje me fanellën e “Toffees”, ndërsa forma e tij e përmirësuar kishte nxitur spekulime se ai mund të rikthehej në planet e trajnerit të Anglisë, Thomas Tuchel, për Kupën e Botës 2026.

Megjithatë, edhe nëse do të rikthehej para ndeshjes së parë të Anglisë kundër Kroacisë më 17 qershor, mungesa disa mujore nga fushat do ta vështirësonte ndjeshëm përfshirjen e tij në skuadër.
Vitet e fundit kanë qenë të vështira për Grealish, që u transferua te Manchester City për shumën rekord prej 100 milionë eurosh.
Ai ishte pjesë kyçe e sezonit historik të tripletës në vitin 2023, por më pas humbi vendin titullar nën drejtimin e Pep Guardiola.
Vështirësitë e tij reflektuan edhe në Kombëtaren angleze, ku nuk është aktivizuar që nga tetori i vitit 2024.
Ai ende nuk është grumbulluar nga Thomas Tuchel, që mori drejtimin e Anglisë në fillim të vitit 2025.
Më herët këtë sezon, Grealish kishte folur për mungesën e tij nga Kombëtarja, duke theksuar se fokusi i tij ishte thjesht të luante mirë me Evertonin. /Telegrafi/





















































