LAJMI I FUNDIT:

Gratë e bëjnë fushatën me buxhetin familjar

Gratë e bëjnë fushatën me buxhetin familjar

Çdo grua që synon kandidimin për kryetare të komunës, fillimisht nëse ka mbështetje nga partia, duhet të ketë parasysh se shpenzimet për fushatën elektorale janë të mëdha, e në disa raste paraqesin pengesë për të kryer takime të afërta me publikun.

Për zgjedhjet lokale në Kosovë, që do mbahen më 17 tetor, nga 167 kandidatë për kryetarë të komunave, partitë politike kanë kandiduar vetëm 13 gra, dhjetë nga subjektet politike shqiptare dhe tre nga subjektet politike serbe. Zgjedhjet lokale mbahen në 38 komuna të Kosovës.

Këto gra vijnë nga parti dhe rajone të ndryshme, por sigurimi i fondeve të nevojshme për të zhvilluar fushatë aktive, është problem i përbashkët.


Instituti Demokracia për Zhvillim (D4D), të martën (6 shtator) ka publikuar një raport të quajtur “Kosto e Pabarazisë: Financimi i Fushatës Zgjedhore së Grave Kandidate”. Në këtë raport thuhet se gratë përballen me mungesë të financimit adekuat të fushatave të tyre zgjedhore, andaj edhe është propozuar ndryshimi i Ligjit për financimin e subjekteve politike në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me gra kandidate për kryetare të komunave të partive të ndryshme politike. Ato kanë thënë se në shumë raste, duhet t’i financojnë vetë kostot e transportit, hapësirat për tubime dhe shërbimet ushqimore, duke mos anashkaluar edhe financimin në raste të caktuara edhe nga partitë politike.

Megjithatë, kandidatet gra tashmë kanë filluar aktivitetet e tyre edhe pse zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale fillon më 16 shtator dhe zgjat deri më 15 tetor.

Kusari-Lila: Shpenzimet janë të paevitueshme

Mimoza Kusari-Lila, kandidate për kryetare të Komunës së Gjakovës nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e paevitueshme edhe financimi privat për fushatë, nuk është i lirë.

Kusari-Lila në vitin 2013 kishte fituar garën për të udhëhequr Komunën e Gjakovës, njëherësh është e vetmja grua që ka udhëhequr një komunë në Kosovë që nga viti 1999.

“Në kuadër të subjektit në të cilin kam garuar në zgjedhjet lokale, jam munduar të kem një operacionalizim të shpenzimeve në kuptimin e nivelit të shtabit dhe pastaj ta mbaj sa më të hapur dhe transparente formën dhe mënyrën e shpenzimeve që kemi pasur. Por, është e paevitueshme që edhe kandidateve t’iu bie të vetëfinancojnë fushatën, ato lidhen me shpenzime të ndryshme të takimeve, të cilat edhe pse janë në nivel të vogël prapë kërkojnë shpenzime, sepse organizimi mund të ketë edhe pije dhe që financohet nga vetë kandidati”, thekson Kusari- Lila.

Ajo megjithatë shprehet se fushata elektorale, viteve të fundit kushton më lirë, për shkak se promovimi mund të zhvillohet përmes platformave online.

Kuqi: Familja dhe miqtë, donatorët kryesorë të fushatës

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që në Komunën e Gjakovës të garojë me kandidaten Arbënesha Kuqi. Edhe kjo tregon për Radion Evropa e Lirë se sigurimi i parave është proces i vështirë për të zhvilluar fushatë efikase. Paratë e kursyera nga puna e saj, nga bashkëshorti, familja dhe shoqëria, janë mjete të cilat pretendon t’i shfrytëzojë për fushatë edhe Arbënesha Kuqi.

”Unë kam njerëz afër vetes që më ndihmojnë financimin, kurse pjesën tjetër e bënë njerëz të vullnetit të mirë të partisë, qytetit dhe shoqërisë. Sa është totali për fushatë, nuk kam bërë ndonjë llogari, por ka kosto edhe me buxhet familjar besoj nuk mund t’ia dalë dikush, nëse paguhet nga buxheti i Kosovës pa pasur ndonjë biznes privat”, thekson ajo.

Halimi: Shpenzimet janë simbolike

Kandidatja për kryetare të Komunës se Ferizajt, Sibel Halimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se fushatën e kanë fokusuar në formë digjitale dhe se deri më tani, shpenzimet janë simbolike. Ajo tha se çdo aktivitet realizohet me organizim të partisë.

“Në momentin që LDK-ja më ka kandiduar për Komunën e Ferizajit, përkrahja do të jetë e madhe gjithsesi dhe nuk ka dallime gjinore sa i përket përkrahjes së kandidatëve të saj. Shpenzimet janë simbolike, nuk janë shpenzime të mëdha që mund të pengojnë realizimin e takimeve, pasi edhe pandemia ka bërë që të mos të organizohen tubime të mëdha”, thekson Halimi.

Ahmeti-Xhylani: Fushata kushton deri në 10,000 euro

Por, Arta Ahmeti- Xhylani, kandidate për kryetare të Komunës së Gllogovcit, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thekson se gratë e kanë shumë të vështirë të sigurojnë fondet e nevojshme për të bërë fushatë dhe shpesh marrin shumë pak ndihmë financiare nga partitë politike.

Ahmeti-Xhylani e cila ka qenë kandidate për kryetare për këtë komunë edhe në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2017, thotë se fushata kushton deri në 10,000 euro dhe sigurimi i këtyre mjeteve paraqet problem për buxhetin familjar. Financat për fushatë, sipas saj, i demotivojnë gratë të kandidojnë për kryetare të komunës.

“Disa nga aktivitetet që organizon partia i financojnë vetë, kurse shumicën e fushatës e financoj unë. Kur takohem me qytetarë, çdo gjë që shërbehet i paguaj vetë. Mua më ndihmon bashkëshorti dhe anëtarë të tjerë të familjes”, tregon ajo.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe kandidaten e Listës Serbe për Komunën e Graçanicës, Liljana Subariq dhe Sladjana Pantoviq kandidate për kryetare të Komunës se Zveçanit, por nuk kanë pranuar të flasin.

Megjithatë, të gjitha gratë kandidate, të intervistuara nga Radio Evropa e Lirë, nuk besojnë se në partitë e tyre mund të ketë ndarje gjinore sa i përket financave.

D4D: Gratë dhe burrat nuk kanë mjete të barabarta në dispozicion

Por, se ka dallim në ndarje buxhetore mes burrave dhe grave në proceset zgjedhore, thuhet në një hulumtim të Institutit Demokracia për Zhvillim (D4D). Ky institutit të martën (06 shtator) ka bërë thirrje për ndarje të barabartë buxhetore dhe përfaqësim të barabartë mes grave dhe burrave, në proceset zgjedhore në Kosovë.

Valëza Zogjani nga ky institut, thekson se financimi i fushatës parazgjedhore, është një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në demokraci, duke shtuar se duhet siguruar që gratë dhe burrat të kenë mjete të barabarta në dispozicion, në mënyrë që të kenë të njëjtat mundësi për të pasur sukses në zgjedhje.

“Faktor i rëndësishëm, i cili pasqyron hendekun gjinor në politikë, nuk është vetëm mungesa e financave për gratë politikane, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore, por në përgjithësi mungesa e mbështetjes nga partitë politike për fuqizimin politik të grave. Këtë e tregoi edhe studimi ynë. Gratë që kam intervistuar për qëllimet e këtij studimi, kanë vënë re një mungesë të mbështetjes nga partia e tyre politike, veçanërisht në aspektin e mbështetjes financiare gjatë fushatës zgjedhore, e cila jo vetëm që ndikon në garën zgjedhore, por edhe i demotivon ato që të angazhohen në politikë”, tha ajo.

Sipas këtij hulumtimi i cili është realizuar pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, thuhet se 50 për qind e të anketuarve tregojnë që kosto financiare e zhvillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhje parlamentare kap shifrën prej 2,000 deri në 5,000 euro për një kandidate.

“Shtatëdhjetë e pesë për qind kanë treguar se nuk marrin asnjë mbulim financiar për derivate të veturave përgjatë udhëtimeve në kohë fushate dhe vetëm 25 për qind e grave kanë qasje në veturat e subjekteve politike, për t’i shfrytëzuar për takimet gjatë fushatës zgjedhore. Pesëdhjetë për qind e grave paguajnë individualisht hapësirat publike që shfrytëzohen për takime dhe tubime elektorale me qytetarë”, thuhet në hulumtim.

Lëvizja Vetëvendosje, për të gjitha zgjedhjet ku ka marrë pjesë i ka të publikuara raportet financiare, thotë Arlind Manxhuka zëdhënës në këtë parti.

“Ne mbulojmë fushatat e shpenzimet që ndodhin nëpër qendra tona e në nivel qendror dhe si rezultat nuk kemi ndarje gjinore sa i përket financave. Të gjitha aktivitetet qe mbulojmë, qofshin të përfshirë gra apo burra, mbulohen në përputhje me planifikim” , thotë ai, duke shtuar se nuk ka ndarje gjinore në buxhetet e kësaj partie.

“Partia Demokratike e Kosovës u krijon kushte dhe mbështetje të barabartë politike të gjithë kandidatëve pa dallim gjinie”, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu.

Ndërkaq, Lulëzim Blaka zëdhënës në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se është traditë që selia qendrore të mbështesë aktivitetet kolektive të degëve dhe kandidatëve që garojnë në zgjedhje, tubimet elektorale, materialet publicitare e të tjera, por jo fushatën individuale të kandidatëve për kryetarë komunash ose kuvende komunale.

“Mbështetja është logjistike dhe kolektive, e jo individuale, pavarësisht se cilës gjini i përkasin” , thotë Blaka për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar dhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, lidhur më këtë çështje, por deri në momentin e publikimit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigjje.

Mjetet e ndara për partitë politike nga Kuvendi i Kosovës

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, për çdo vit nga buxheti i shtetit marrin mbi 4 milionë euro. Në buxhetin e këtij viti, financimi i partive politike është nën programin “Fondi për mbështetjen e partive politike”, kategoria ekonomike subvencione dhe transfere në total ka një vlerë prej 4.2 milionë euro.

Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike, bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat.

Në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton maksimumin e shpenzimeve të fushatës, që bazohet në numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën e votuesve.

Sipas vendimit të KQZ-së, të marrë në muajin qershor të këtij viti, kufiri i sipërm i shpenzimeve është në shumën mbi 950 mijë euro dhe mbështetet në listën jopërfundimtare të votuesve, e cila përmban 1 milion e 894 mijë e 254 votues.

Partitë politike për zgjedhjet lokale, mund të shpenzojnë nga 50 deri në 70 centë për një votues.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, shumë herë kanë shprehur dyshimin se këto mjete nuk mjaftojnë për financimin e fushatave zgjedhore. Sipas tyre, partitë politike financohen edhe nga burime tjera kryesisht nga bizneset, që më pas, me marrjen e pushtetit “shpërblehen” me tenderë publikë.

Në trend Lajme

Më shumë
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Kosova dhe Kanadaja fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak

Kosova dhe Kanadaja fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak

Lajme
Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro nga importi i veturave në Kosovë

Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro nga importi i veturave në Kosovë

Lajme
Fshati i mandarinave në Berat, i gjithë prodhimi shkon për eksport

Fshati i mandarinave në Berat, i gjithë prodhimi shkon për eksport

Lajme
Kalo në kategori