Glavçev për Maqedoninë: Nuk është normale që një vend kandidat për anëtarësim në BE t'i vendos kushte një shteti anëtar

Kryeministri teknik i Bullgarisë, Dimitar Glaçev thotë se nuk është normale që një vend kandidat për anëtarësim në BE t'i vendos kushte një shteti anëtare të BE-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Sot do të jem në një samit në Bruksel për temën e Ballkanit Perëndimor. Qëndrimi ynë atje nuk ka ndryshuar aspak. Ai është parimor. Është rënë dakord në të ashtuquajturin kompromis 2022. Është e natyrshme që kemi bërë kompromis. Ai është nënshkruar nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Nuk shoh arsye për të bërë lëshime nga kjo, tha kryeministri teknik bullgar Dimitar Glavçev në fillim të seancës së sotme të qeverisë bullgare.
“Kompromisi” për të cilin ai flet është i ashtuquajturi propozim francez i nënshkruar nga Sofja dhe Shkupi. Ai përmban kushte që Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë për të filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një prej tyre është përfshirja e bullgarëve në kushtetutë. OBRM-PDUKM-ja aktuale në pushtet, e cila tashmë ka dështuar një herë në një përpjekje të ngjashme, tani po përpiqet të bëjë pazare me vendet e tjera të BE-së se ky kusht do të përmbushet vetëm pasi vendi të bëhet anëtar i BE-së. Deri më tani kjo kërkesë nuk ka gjetur mbështetje në Bruksel, shkruan portali bullgar "Dnes".
“Nuk është normale që një vend që është kandidat për anëtarësim në BE t’i vendosë kushte një shteti anëtar. Zakonisht, kur dikush dëshiron të bashkohet diku, ai ndjek rregullat e vendosura atje, në vend që të rregullojë rregullat për personin që aplikon. Ky do të jetë një precedent absolut dhe në kundërshtim me parimet e BE-së për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave. Pengesa më e vogël për Republikën e Maqedonisë së Veriut është kompromisi i vitit 2022, nëse mund të jetë pengesë fare. Ata vazhdojnë të mos i plotësojnë kërkesat tjera”, ka theksuar Glavçev.
Glavçev kryeson delegacionin bullgar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor sot në Bruksel./Telegrafi/





















































