Gjysmëfinalistet e French Open 2025: Duelet mes yjesh - por edhe befasia e vitit

Turneu i Roland Garros ka mbërritur në fazën e gjysmëfinaleve tek kategoria e femrave , ku katër emra të njohur të tenisit botëror do të përballen për një vend në finale. Përballjet janë të zjarrta dhe me shumë histori mes tyre.
Në gjysmëfinale do të kemi përballjen mes numrit një në botë, Aryna Sabalenka, dhe kampiones në fuqi Iga Swiatek. Këto dy lojtare e kanë kthyer rivalitetin e tyre në një klasik të tenisit modern.
Swiatek kryeson 8-4 në duelet e deritanishme mes tyre, dhe sidomos në fushat e argjilës ka qenë pothuajse e pathyeshme kundër Sabalenkës, duke humbur vetëm një nga gjashtë përballjet e fundit.
Kjo do të jetë një sfidë e ashpër, pasi Sabalenka kërkon të thyejë “mallkimin” e Roland Garros, ndërsa Swiatek synon titullin e saj të katërt në Paris.
Në anën tjetër të shortit, historia shkruhet nga debutuesja Lois Boisson, e cila ka habitur të gjithë me ecurinë e saj mahnitëse. Francezja 22-vjeçare, e renditur e 361-ta në botë, ka mposhtur tre lojtare të renditura më lart në këtë turne dhe tani përballet me Coco Gauff.
Kjo do të jetë hera e parë që Boisson dhe Gauff luajnë kundër njëra-tjetrës. Amerikania Gauff, fituese e US Open 2023 dhe finaliste e Roland Garros 2022, ka treguar stabilitet dhe është e vendosur të rikthehet në finale, por do të përballet me një atmosferë të jashtëzakonshme në Philippe-Chatrier, ku Boisson ka pasur publikun pas saj në çdo hap.
Këto katër lojtare janë të gjitha të uritura për sukses – Swiatek dhe Gauff për të treguar vazhdimësinë e tyre në nivelet më të larta, Sabalenka për të arritur më në fund majën e fushave të argjilës, dhe Boisson për të vazhduar përrallën e saj të pabesueshme. Pa dyshim, përballjet e tyre kanë premisa të mëdha për spektakël dhe histori të reja për t’u shkruar. /Telegrafi/



















































