Gjykata cakton një muaj paraburgim për pesë policët në rastin e Agon Zejnullahut
Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan, ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj pesë zyrtarëve policorë, të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” në rastin e vdekjes së një të riu nga Lipjani.
Në komunikatën për media të gjykatës thuhet se masa është caktuar ndaj të pandehurve E.B., L.RR., A.K., A.R. dhe I.N., pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë fazë të procedurës dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale,” thuhet në komunikatë.
Sipas gjykatës, të pesë zyrtarët dyshohen se më 7 korrik 2025, rreth orës 00:10, në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan, duke vepruar në bashkëkryerje dhe nga pakujdesia, kanë privuar nga jeta 27-vjeçarin A.Z.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime për përdorimin e forcës nga ana e Policisë së Kosovës gjatë ndërhyrjeve në terren. Autoritetet kanë premtuar një hetim të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së të riut.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. Hetimet për rastin janë ende në zhvillim./Telegrafi/




























