Gjuha boshnjake merr seksionin e saj në ueb faqen e Komunës së Prizrenit

Gjuha boshnjake është rikthyer në faqen zyrtare të internetit të Komunës së Prizrenit me një seksion të veçantë, ka njoftuar këshilltari komunal nga radhët e Koalicionit “Vakat”, Sead Arifi.
Sipas tij, një gjë e tillë është realizuar pas reagimeve të përfaqësuesve të komunitetit boshnjak në adresat relevante për këtë çështje.
“Ndryshe nga periudha e mëparshme, tani gjuha boshnjake ka një seksion të veçantë dhe nuk është vendosur në të njëjtën kategori me gjuhën serbe”, ka thënë Arifi.
Anëtari i Kuvendit të Prizrenit ka shprehur bindjen se ky është një hap i rëndësishëm drejt respektimit të të drejtave gjuhësore dhe barazisë së të gjitha komuniteteve.
“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe të angazhohemi për zbatimin e qëndrueshëm të dispozitave ligjore për gjuhët zyrtare”, ka theksuar Arifi, teksa ka shprehur mirënjohje për udhëheqësin e Njësisë për Komunikim me Publikun në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha, për zyrtarin për performancë, Haziz Krasniqi dhe zyrtarët e ASHI-së.
Zyra për Informim e Komunës së Prizrenit për Telegrafin ka konfirmuar se pas kërkesës së adresuar në ASHI është krijuar edhe seksioni për gjuhën boshnjake në ueb faqen e re zyrtare. /Telegrafi/












































