LAJMI I FUNDIT:

GJKKO shqyrton sot ankimin e Ajola Xoxës për sekuestrimin e celularit

GJKKO shqyrton sot ankimin e Ajola Xoxës për sekuestrimin e celularit

Gjyqtari Erjon Bani, i cili më herët la në fuqi masën e arrestit me burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, pritet të shqyrtojë këtë të hënë ankimin e Ajola Xoxës lidhur me sekuestrimin e celularit të saj gjatë kontrolleve të kryera në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

Seanca gjyqësore është planifikuar të zhvillohet në orën 13:30 me dyer të mbyllura. GJKKO ka lehtësuar masën ndaj Xoxës nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje. Ende nuk është e qartë nëse ajo do të jetë e pranishme personalisht në seancë apo do të përfaqësohet nga avokati i saj.

Nga të dhënat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur akuza të rënda ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.


Sipas hetimeve, Veliaj dhe Xoxa dyshohet se kanë krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm të sofistikuar për përfitime të parregullta nga fondet publike të Bashkisë së Tiranës. Konkretisht, në të paktën 10 raste, SPAK ka ngritur dyshime të arsyeshme për korrupsion, ku Veliaj ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike dhe lejeve të ndërtimit për subjekte tregtare të lidhura me të. Këto fonde, më pas, janë transferuar drejt organizatave jofitimprurëse, shoqërive private dhe individëve të afërt me Xoxën, duke krijuar një skemë të ndërlikuar transaksionesh financiare.

SPAK konfirmon se Veliaj akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 9 raste, si dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ndërkohë, ndaj Ajola Xoxës rëndojnë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Gjithashtu, SPAK ka bërë të ditur se pesë biznesmenë janë vënë nën akuzë për korrupsion aktiv, ndërsa nën hetim është vënë edhe deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, e cila dyshohet se ka penguar zbardhjen e së vërtetës. Hetimet janë udhëhequr nga prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani.