LAJMI I FUNDIT:

Gjini: Ngrohja dhe pastërtia do të jenë në fokus të veçantë të qeverisje lokale

Gjini: Ngrohja dhe pastërtia do të jenë në fokus të veçantë të qeverisje lokale

Kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, sot ka zhvilluar vizita njohëse nëndërmarrjet publike ”Ngrohtorja e Qytetit” dhe ”Çabrati”, me ç’rast nga menaxhmenti i të dy ndërmarrjeve është njoftuar për gjendjen në të cilën ndodhen këto kompani, problemet me të cilat po ballafaqohen si dhe planet për të ardhmen.

Në takim me kryeshefin ekzekutiv të ”Ngrohtores së Qytetit”, Admir Shala, kryetari Gjini ka vënë në dukje rëndësinë që kjo ndërmarrje e ka për Gjakovën, prandaj edhe është zotuar se përkrahja për këtëndërmarrje do të jetë në fokus të vazhdueshëm të komunës.

Duke premtuar se komuna do t’i kryej të gjitha detyrat e veta në shërbim të Ngrohtores, kryetari Gjini ka kërkuar nga menaxhmenti dhe stafi i ndërmarrjes që edhe ata të jenë në shërbim të plotë të detyrave të veta dhe bashkërisht të bëjnë punë në të mirë të ndërmarrjes.


Nga ana tjetër, kryeshefi ekzekutiv Admir Shala e ka njoftuar kryetarin Gjini me gjendjen ekzistuese të ndërmarrjes, gjendje e cila është duke u përmirësuar çdo ditë e më tepër.

Duke u fokusuar te ndihma konkrete që komuna mund ta jap për ndërmarrjen, Shala ka kërkuar nga kryetari Gjini që komuna ta vazhdojë rrugën e nisur në drejtim të lokacionit ku do të ndërtohet objekti i ri i ngrohtores si dhe ka kërkuar që kryetari Gjini të ndikojë në pagesën e borxheve që institucioni i komunës ka ndaj ngrohtores.

Një takim të këtij karakteri, kryetari Gjini e ka zhvilluar edhe me bordin dhe menaxhmentin e ndërmarrjes ”Çabrati” me të cilët kryesisht ka biseduar për problemet e kompanisë, por edhe për gjendjen e pastërtisë në Gjakovë si dhe mirëmbajtjen dimërore të rrugëve.

Sa i përket gjendjes së pastërtisë, kryetari Gjini ka kërkuar nga i tërë kolektivi i ndërmarrjes që të jenë më shumë të fokusuar në punë për mirëmbajtjen e pastërtisë, duke bërë që brenda një afat të shkurtër kohor Gjakova të jetë një qytet shumë më i pastër.

Ndërkohë, kryetari Gjini ka njoftuar edhe për vonesën e shpalljes së tenderit për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve.

Megjithatë, kryetari Gjini ka thënë se nuk ka vend për shqetësim, pasi tashmë ka kontaktuar me ministrinë e Infrastrukturës dhe me disa kompani private, të cilat kanë shprehur gatishmëri që në mënyrë vullnetare ta ndihmojnë komunën në rast të problemeve eventuale me borën.

Në këtë drejtim, kryetari Gjini ka kërkuar përkrahje edhe nga kompania ”Çabrati”, përkahje e cila edhe është premtuar nga menaxhmenti i kompanisë, thuhet në komunikatë